zoom

Lajme

Video/ Veliaj pranon se s’ka incenerator, por “landfill”. Ia kalon topin qeverisë: Ne jemi klientë

Në një dalje të fundit televizive, kryebashkiaku Erion Veliaj ka tentuar të heqë nga përgjegjësia e tij aferën më të diskutuar në vend, inceneratorët.

Veliaj tha në “Wake Up” se bashkia e Tiranës është vetëm “klient” si bashkitë e tjera dhe se projekti në vetvete është i varur nga kabineti i qeverisë, ministria e Brendshme.

Në deklaratën e tij, Veliaj i referohet inceneratorit si “landfill” për të cilin mund të hapet një garë, duke pranuar kështu se inceneratori nuk ekziston.

Deklaratën e ka shpërndarë edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku e cila shkruan: “ Për këdo që kishte ende pikëpyetje në kemi inceneratorë apo landfill €430 mln. Përgjigjen ua jep ai që ka firmosur më të madhin prej tyre! E vërteta vonon por nuk harron!”

 

“Ne jemi një nga 5 klientët e gjithë asaj zonës së landfillit. Është Bashkia e Tiranës, Bashkia e Kamzës, Bashkia e Vorës, Bashkia e Kavajës dhe e Rrogozhinës, sjell dhe Durrësi. Kjo do të thotë që jemi një nga klientët, nuk jemi autoriteti që e menaxhon. Autoriteti që e menaxhon është Agjencia Shtetërore që varet nga Ministria e Brendshme mos gaboj dhe po menaxhon atë aset.
Besoj që tani që edhe çështja ka shkuar për gjykim dhe është sqaruar shumë mirë cili është roli i bashkive, që bashkitë nuk kanë qenë pronare të inceneratorit apo ideatore. Kjo ishte një ide e Ministrisë së Mjedisit në atë kohë, bëri atë projekt, për të gjithë ata që kanë bërë gabimin në atë projekt ka një proces gjyqësor.
Ndërkohë, ajo që unë besoj dhe po arrij të kuptoj si një nga klientët dhe klienti kryesor në fakt i landfillit është që tani që çështja ka shkuar në gjykim dhe e gjithë procedura tashmë është hetuar unë besoj se nuk ka asnjë pengesë që të hapet një garë…”, ka theksuar Veliaj.