zoom

Aktualitet

VIDEO/ Parandalohet krimi në Vlorë, 28-vjeçari kapet me kallashnikov në makinë

Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia në Vlorë, pasi qarkullonte me një automatik tip kallashnikov në makinë. Gjithashtu policia procedoi penalisht dy pasagjerët në makinë, për moskallëzim krimi.

“Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se një 28-vjeçar po qarkullonte në qytetin e Vlorës, me një automjet në të cilin mbante armë zjarri dhe se do kryente një krim të rëndë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Aleksandria”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: – D. P.(A.), 28 vjeç, për veprën penale ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov”, tha policia.

Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar nga i arrestuari. Gjithashtu, në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. F., 17 vjeç dhe A. H., 17 vjeç, të dy banues në Vlorë, pasagjerët që udhëtonin së bashku me 28-vjeçarin, në automjetin e tij, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.