Aplikacion
Lukaku prishi ekuilibrat në minutën e 15-të, duke dërguar në festë tifozërinë vendase. Torinezët nuk u pajtuan assesi me rezultatin dhe reaguan brenda pjesës së parë. Në të 30-tën, Bremer shfrytëzoi në perfekt një asist të Chiesas. Në pjesën e dytë nuk pati gol, pavarësisht rasteve.
Një barazim që i qëndron ngushtë ekipit të De Rossit, me verdhekuqtë që ndërlikojnë shumë prezencën e tyre në Champions League. Me 60 pikë, Roma qëndron në vendin e 5-të, por Atalanta ndodhet 3 pikë larg dhe me dy ndeshje më shumë në dispozicion. “Zonja e Vjetër” feston për këtë pikë në kryeqytet, ky ishte një hap i rëndësishëm drejt objektivit të tyre kryesor, të sigurojnë një vend mes ekipeve më të mira në Evropë.
Roma e nisi mirë këtë sfidë, me Lukakun që gjeti golin e avantazhit që në minutën e 15-të, teksa përfitoi nga një top i kthyer keq brenda në zonë. Juve u rikthye në lojë, në minutën e 31-të, ku Bremer me kokë, pas një krosi të Chiesa-s barazoi shifrat në 1-1. Në fraksionin e dytë, Juve mori kontrollin e lojës duke ushtruar presion total në zonën e Romës, me Chiesa-n që ishte në një mbrëmje të madhe, por sulmuesi i “azzurr” ishte i pafat duke u ndalur në shtyllë. Juve provoi në çdo formë të dilte me pikë të plota nga kjo transfertë, por rrezikuan edhe ta humbasin me Abraham që flirtoi me golin në fund, pikërisht te ky detaj u ndal edhe Allegri:
“Rrezikuam të humbasin një ndeshje të cilën nuk arritëm ta fitonim pavarësisht rasteve që kishim në favor. Në fund, administruam jashtëzakonisht keq ndeshje. Gjithsesi, kjo pikë na jep një avantazh në ndeshjet direkte. Javën e ardhshme, kundër Salernitanas, kemi një shans ideal për të mbyllur diskutimin Champions. Jemi shumë pranë këtij objektiv, më pas kemi dhe një finale për të luajtur, më pas të shohim”, u shpreh Allegri pas ndeshjes.
“Zhvilluam një ndeshje të mirë, 48 orë pasi kishim luajtur kundër Leverkusen. Gjithsesi, nuk mund të jem i kënaqur me një barazim. Javën e ardhshme luajmë në transfertë kundër Atalanta-s, atje do të shkojmë vetëm për një rezultat”, u shpreh De Rossi. /ZOOM.AL/
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në 10 vjet përballë ndryshimeve klimatike