zoom

Aktualitet

Vetëm Kazinotë e Tiranës nuk pyesin për pandeminë, 24 orë hapur

Ajo çfarë po ndodh me masat anticovid në Shqipëri është sa absurde aq edhe e dëmshme. Absurde për shkak se numri i infektimeve ditore është në nivelet historike, por kufizimet vijojnë të jenë të njëjta si në ditët e rrezikut. Në ditën e parë të pandemisë, në mars të vitit 2020, Shqipëria regjistronte 10 të infektuar. Të hënën, vetëm 6. Ekspertët thonë se të paktën 50 % e popullsisë e ka kaluar covid-19. Ndërsa vaksinimi është kryer te 736 mijë persona, të gjithë të moshës së tretë apo me sëmundje bashkëshoqëruese të konsideruara si të rrezikshme nëse u bashkëngjitet covid-19. Në spitale ka vetëm 50 pacientë. Në rrethe, pavionet covid në spitalet rajonale u mbyllën.

Megjithatë, masat nuk ndryshojnë. Lëvizja kufizohet në orën 22:00.  Qytetarët nuk po i respektojnë më distancën sociale apo mbajtjen e maskave në një kohë kur infeksionet po shkojnë drejt zeros. Ajo që po bën mbajtja e masave është vetëm dëmi që po u shkakton qytetarëve dhe bizneseve. Qytetarët gjobiten nëse policia i kap duke lëvizur pas orës 22:00. Drejtuesit e mjeteve humbin lejen e drejtiit për 3 vjet. Bizneset paguajnë gjoba të majme deri në 1 milionë lekë dhe rrezikojnë mbylljen nëse rasti përsëritet.

Biznesi është më i dëmtuari, por edhe këtu absurdi vijon prej kohës. Jo të gjithë janë të penalizuar nga masat.
Teksa baret, restorantet, dyqanet apo edhe galeritë e artit janë detyruar të mbyllen në orën 22:00, sepse virusi është i rrezikshëm, në disa biznese të tjera lejohen grumbullimet e madje edhe festa e koncerte. Kazinotë e Tiranës janë të mbushura plot dhe klientët e tyre qëndrojnë të shpenguar në çdo orë të natës, pa kufizim.
Këto foto u publikuan në një shkrim investigativ mbi disa kazino, që preku edhe çështjen e respektimit të masave anticovid.

 

Rënia e infektimeve ka bërë që të bjerë edhe arsyeja e mbajtjes së masave. Arsye që duket se nuk e kuptojnë vetëm anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve apo Kryeministri, i cili, sipas deklarimeve të vetë disa anëtarëve, ka ndikim të drejpërdrejtë mbi këtë komitet.

Zoom.al