Aplikacion
Për të mbrojtur deputeten Xhaçka, bashkëshorti i së cilës u shpall investitor strategjik nga qeveria, mazhoranca socialiste votoi dy herë kundër dërgimit të këtij mocioni në gjykatë dhe vendimet e saj u gjetën në të dyja rastet në shkelje të Kushtetutës.
Në vendimmarrjen e datës 10 korrik kjo gjykatë konstatoi se Kuvendi kishte shkelur Kushtetutën duke mos zbatuar një vendim të janarit 2023 të kësaj gjykate, vendimet e së cilës janë të detyrueshme.
“Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi”, thuhet në vendim, por mesa duket terminologjia e përdorur nga Gjykata Kushtetuese nuk do të ndikojë në hapat procedurialë të Kuvendit.
“Vendimi për znj.Xhaçka nuk ka ardhur akoma i zbardhur. Ndërkohë duhet të botohet që të marrë formë të prerë si vendim, që më pas Kuvendi te bëj proceset e veta”, iu përgjigj BIRN-it të hënën kabineti i kryetares së Kuvendit i pyetur se kur do të zbatohej vendimi i Kushtetueses.
Duke pasur parasysh afati ligjor për zbardhjen e vendimit është 30 ditë dhe Kuvendi ka caktuar në kalendar si seancë të fundit datën 25 korrik, duket se edhe një herë çështja “Xhaçka” do të kalojë në kalendat greke, pasi u zvarrit për më shumë se 2 vite me procedurë në Kuvend.
Gjatë votimit në prill ku rrëzua vendimi i parë i Kushtetueses, socialistët pretenduan se gjykata nuk mund të detyronte deputetët si të votonin sepse ata ishin të pavarur në vendimmarrjen e tyre.
Por sipas vendimit të fundit të Kushtetueses ata janë të detyruar të zbatojnë vendimin e saj pasi ky vendim ka forcën e ligjit dhe “asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë”.
Që nga qershori i vitit 2022 mazhoranca ka përdorur afate dhe procedura parlamentare për të zvarritur në kohë shqyrtimin e saj në organet parlamentare dhe me vendim politik ka mbrojtur deputeten e saj.
Gjatë seancën plenare për mocionin ndaj saj vetë Xhaçka foli për sulm politik nga opozita dhe sulmoi mediat e gazetarët si; “inkuizitorë”, “gjobaxhinj” dhe “snajperistë”.
Çështja e mandatit të Xhaçkës ka krijuar një precedent në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke shmangur praktikën e mëparshme parlamentare, kur Kuvendi ka vendosur që të dërgojë për interpretim në gjykatë mandatet e deputetëve në rastet kur ndaj tyre ka pasur akuza apo indicie se kanë shkelur nenin 70 të Kushtetutës që i ndalon ata të përfitojnë nga të mirat publike./ Reporter.al
Zbulohen dy moderatorët e Festivalit të Këngës! Prezantuesja rikthehet në ekran pas shumë vitesh