zoom

Ekonomi

Vendimi i Bankës së Shqipërisë/ Interesat e kredive do të ulen

Pas 28 muajsh, Banka e Shqipërisë vendosi të lehtësojë politikën monetare, duke ulur normën bazë të interesit për lekun.

Guvernatori Gent Sejko shpjegoi se rënia e vazhdueshme e inflacionit në vendin tonë dhe ecuria e mirë ekonomike ishin dy faktorët kryesorë që e shtynë Bankën Qendrore drejt këtij vendimi.

“Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se momenti pozitiv i zhvillimit të ekonomisë shqiptare do të vijojë edhe në të ardhmen. Vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të rritet gjatë vitit 2024 e në vazhdim, ndërsa inflacioni pritet të luhatet rreth niveleve aktuale gjatë pjesës së mbetur të vitit 2024 dhe të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë gjysmës së parë të vitit 2025. Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës e gjykoi të nevojshëm një lehtësim të qëndrimit të politikës monetare, duke synuar të krijojë kushte sa më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve”, tha Guvernatori Gent Sejko.

Nëse në muajt në vijim do të ketë ulje të vazhdueshme të normës bazë të interesit për lekun, kjo do të përcaktohet nga ecuria e çmimeve në tregun e brendshëm dhe atë të huaj si edhe nga pasiguritë gjeopolitike.

“Vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit”, shtoi Sejko.

Ulja e normës bazë të interesit për lekun pritet të pasohet edhe me ulje të lehtë të interesit të kredive për kredimarrësit.

Banka e Shqipërisë u detyrua të niste shtrëngimin e politikës monetare në shkurt të vitit 2022, si përgjigje pas nisjes së luftës në Ukrainë dhe rritjes së inflacionit, duke e çuar normën bazë nga 0.5% në 3.25%.