zoom

Aktualitet

Vëllai i Edmond Papës dhe emra të njohur të botës së krimit, ekstradohen sot nga Dubai 6 persona

Vëllai i Edmond Papës dhe emra të njohur të botës së krimit, ekstradohen sot nga Dubai 6 persona

Gjashtë shtetas shqiptarë të arrestuar në Dubai pritet të ekstradohen gjatë ditës së sotme drejt Shqipërisë.

Blutë informojnë se të ekstraduarit ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, pastrimit të parave dhe krimeve kompjuterike.

Bëhet fjalë për shtetasit Kristo Qirici alias Jetmir Hoxha alias Jetmir Qirici, Shkëlzen Kraja, Ilir Lazri alias Ilir Sula, Aleks Pepaj alias Shkëlqim Pepaj, Devit Patrut alias Elidon Skendaj alias Devid Boraj alias Fatmir Pepaj, si dhe Merxhan Celiku.

Sipas hetimeve, pesë prej tyre akuzohen për përfshirje në grupe të strukturuara kriminale të lidhura me trafikun e lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, ndërsa Merxhan Celiku kërkohej për mashtrim kompjuterik në kuadër të grupit kriminal të Amant Josifit.

Një nga emrat më të njohur në këtë listë është Kristo Qirici, i njohur edhe si Jetmir Hoxha, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që kultivonte kanabis në zonën e Sarandës dhe e trafikonte atë drejt Greqisë gjatë viteve 2019-2021. Ai njihet gjithashtu si vëllai i biznesmenit Edmond Papa, i ekzekutuar në Tiranë në dhjetor të vitit 2022.

Ndërkohë, Shkëlzen Kraja rezulton të jetë subjekt i një hetimi pasuror nga SPAK, i cili në vitin 2024 i sekuestroi disa pasuri të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Sipas Policisë, Aleks Pepaj, Ilir Lazri dhe Devit Patrut dyshohet se janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, i hetuar nga SPAK për transportin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Ekstradimi i tyre konsiderohet një tjetër rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të Emirateve të Bashkuara Arabe në luftën kundër krimit të organizuar.

Postime të lidhura