zoom

Aktualitet

“Vdiq, sepse ambulanca erdhi vonë”/ Si duhet të veproni në rastet si ai i Shkodrës

Mbrëmjen e djeshme, një 60-vjeçar humbi jetën në Shkodër, pasi shtëpia e tij u përpi nga flakët, ndërsa bashkëshortja mbeti e plagosur.

Pavarësisht ndihmës mjekësore, Kapllan Nasufi nuk mundi të mbijetonte. Fqinjët e të ndjerit akuzojnë drejtpërsëdrejti bluzat e bardha, duke u shprehur se “ambulanca erdhi me shumë vonesë”.

Por drejtori i Spitalit Rajonal të Shkodrës, Senad Halluni shprehet se ambulanca bëri më të mirën e mundshme. Sipas tij, pas njoftimit nga zjarrfikësit se një banesë kishte marrë flakë dhe se brenda saj ndodheshin dy persona, ambulanca mbërriti në vendngjarje vetëm 7 minuta më pas.

“7 minuta është një kohë optimale për të shkuar në vendngjarje.”

Më tej, Halluni u bëri thirrje qytetarëve që në raste të tilla, të njoftojnë vetë shërbimin kombëtar të urgjencës dhe jo t’ia lënë në dorë zjarrfikësve, pasi janë minuta të humbura.

Si të bëni më të mirën e mundshme

-Së pari, përpiquni të ruani qetësinë. Telefonata për ndihmë që ju do të bëni mund të jetë (është) vendimtare.

-Numri i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore është 127.

-Në telefonatën që do të bëni duhet të jeni sa më të qartë: tregoni sa më me saktësi të mundeni vendin ku ndodheni (nëse nuk njihni zonën përdorni pikat më të afërta të orientimit), për sa persona po kërkoni ndihmë (që stafi mjekësor të marrë masat)  dhe pëshkruani gjendjen në të cilën ndodhet (shenjat, simptomat)

-Për më shumë informacioni vizitoni adresën virtuale urgjenca.gov.al

-Numra të tjerë jetëshpëtues, që duhet t’i dini: Zjarrfikësja 128, Policia Rrugore 126, Policia e Shtetit 129/ Zoom.al