zoom

Politikë

Vasilika Hysi largohet nga PS-ja

Vasilika Hysi ka vendosur që pas 12 viteve të largohet prej angazhimeve të saj në Partinë Socialiste. Këtë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, në një konferencë, teksa prezantonte programin “Drejtësia që duam”

“Vasilika më ka bërë me dije se ka vendosur t’u hapë rrugën kalamajve. Vasilika me gjithë konsideratën dhe besoj nuk kishte vend më të mirë se ky, ku ti ke një rol kyç për çfarë kemi bërë për reformën në drejtësi”, tha Rama.

Nga ana e saj, Hysi u shpreh:

“Ishte kënaqësi që sot siç hyra në politikë, sot bëj këtë dalje për të thënë që në këto 12 vite, mundëm të bëjmë realitet një ëndërr që e kemi patur të gjithë bashkë. Sot jam krenare që mundëm t’ia dalim. Betejën e kuptuam se nuk ishte e lehtë, por ai dolëm. Kur filloi reforma në drejtësi unë kisha 30 vite eksperiencë në mësim dhënie. Ka qenë një universitet i dytë. Vitet e reformës në drejtësi janë një shkollë e vërtetë. Ndihem shumë e privilegjuar sot, qe kam qenë pjesë e kësaj reforme, që PS, ju më keni besuar. Erdha në politikë pa qenë pjesë akvite e politikës. Kam patur pozicione shumë të mira, keni mbështetur e promovuar gra e vajza, kemi patur një armatë shumë të mirë të promovimit të PS. Ka edhe shumë e shumë të rinj që PS mund t’i ketë në të ardhmen”.

Prej vitit 1985 deri në vitin 2009, ajo ka qënë pedagoge me kohë të plotë në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Gjatë periudhës 1993-2008 u zgjodh më detyra të ndryshme drejtuese administrative si përgjegjese e departamentit të së drejtës penale, dekane e Fakultetit të Drejtësisë. Gjatë periudhës 1998-2009, krahas detyrave administrative ishte pjesë e strukturave drejtuese shkencore të ndryshme, në Fakultetin e Drejtësisë dhe në Universitetin e Tiranës.
Ka dhënë kontribute në reformimin e arsimit juridik dhe kërkimit shkencor në universitet. Ka kryer kualifikime dhe specializime në SHBA, Itali, Francë, Gjermani, Hollandë etj për profesionet ligjore dhe mësimdhënien, në fushën penale, sistemin e drejtësisë penale për të mitur, kriminologji, krimin e organizuar, viktiminologji, të drejtat e njeriut, hartimin e politikave penale, etj. Është autore e teksteve mësimore universitare, e botimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit në fushën e kriminologjisë, politikave penale, të viktimologjisë, studimeve të krimit dhe dënimit, të drejtësisë së të miturve, etj. Eksperte pranë organizave ndërkombëtare në fushën e kriminologjisë dhe politikave penale dhe të drejtave të njeriut. Veprimtare e të Drejtave të Njeriut. Krahas aktivitetit shkencor dhe akademik brenda dhe jashtë vendit, ka një veprimtari aktive në mbrojtje të të drejtave të njeriut, brenda dhe jashtë vendit.