zoom

Slider

Vajza e Ismail Kadaresë i jep lamtumirën e fundit të atit me vargjet e poezisë së tij

Vajza e Ismail Kadare, Besiana Kadare i ka dhënë lamtumirën të atit me vargjet e poezisë së tij.

Ajo ka postuar vargjet e “Kohë e pamjaftueshme” shoqëruar me një emoji të një zemre të thyer.

Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e sotëm, ndërsa homazhet do të zhvillohen të mërkurën (3 Korrik).

Ai u dërgua me urgjencë në QSUT pasi pësoi arrest kardiak por nuk mundi të mbijetojë.

Postimi i Besiana Kadare:

Kohë e pamjaftueshme

S’kam kohë të harroj shumë gjëra

Që nga mendja ti nxjerr përjetë.

Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat

Do t’më duhen së paku dy vjet.

Dhe ndoshta po aq për Danten,

Për frëngjishten tok me plazhet po aq,

Ndoshta gratë do të jem duke fshirë

Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.

Si udhëtari me peshë të tepërt

Para avionit që niset pas pak

I ngarkuar rëndshëm ende

Do t’afrohem tek varri humbak.

Nga supet si ta heq këtë barrë?

Ku ta hedh këte peshë, si?

Me të s’mund të zbres atje poshtë

Por as lart dot s’e lë kurrsesi.

I menduar gjer në çast të fundit

Nga mosthënia, nga pengu tragjik,

Një shenjë ndoshta të pakuptueshme

Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.

Ismail Kadare 💔