Aplikacion
Grosistët e naftës, apo oligarkët, siç po i quan publiku rëndom, reaguan menjëherë pasi kryeministri Edi Rama, i gjendur nën presion nga protestat, paralajmëroi se qeveria do të vendoste një marzh tavan fitimi.
Reagimi, me uljen me 27 lekë për litër, është provë se të paktën kjo ka qenë vlera të cilën tregtarët e mëdhenj dhe të vegjël të naftës e kanë marrë nga qytetarët në mënyrë abusive. Kjo për faktin se në bursën ndërkombëtare një fuçi nafte vijon të tregtohet me 120 dollarë, po kaq sa dje apo ditët e tjera kur çmimi arriti rekordin historik edhe me 260 lekë.
Por sa para morën “oligarkët” e naftës duke abuzuar me rritjen e çmimit?
Le të provojmë të bëjmë një llogaritje të thjeshtë.
Shqipëria importon rreth 600 mijë tonë naftë në vit, ose 31.2 ton në javë (31,200,000 litra).
Duke e shumëzuar këtë shumë me 27 lekë për litër, rezulton se abuzimi është 311 milionë lekë ose 2.5 milionë euro. Dhe kjo vetëm në 1 javë!
Por edhe pse nga xhepat e qytetarë u vodhën këto para, tregtarëve të naftës, si Kastrati, Eida, Alpet, Bolv Oil, Gega Oil, Eurodrini, Veliaj, Krasniqi, etj nuk u hyri gjëmb në këmbë.
Dhe kjo vetëm për faktin se kur spekullimet shpërthyen në treg, kur politikanë të opozitës e qytetarë ngrinin zërin kundër spekullimeve, qeveria Rama mbylli sytë dhe iu hakërrye më shumë shqiptarëve sesa “oligarkëve” spekullantë, me të cilët është akuzuar shpesh për lidhje okulte. /Zoom.al