zoom

Politikë

U pagua nga para shqiptare, ish-agjenti i lartë i FBI-së, Charles McGonigal do të pranojë fajësinë

Ish-agjenti i lartë i kundërzbulimit në FBI, Charles McGonigal, pritet të deklarohet fajtor këtë të premte pasdite me orën shqiptare për akuzat se ka fshehur 225,000 dollarë pagesa në cash nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare, i cili u bë shkak për nisjen e një hetimi në SHBA.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia prestigjioze e lajmeve ‘Reuters’, e cila thekson se McGonigal, i cili drejtoi divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork përpara se të tërhiqej në vitin 2018, është planifikuar të paraqitet në një seancë për pranimin e fajësisë në Gjykatën Federale të Uashingtonit në orën 14:00 me atë lokale (20:00 e mbrëmjes me atë shqiptare).

Ai u deklarua fajtor për një akuzë konspirative në gjykatën federale në Manhattan muajin e kaluar në një rast të veçantë në lidhje me punën e tij për oligarkun rus Oleg Deripaska, i cili ishte nën sanksionet e SHBA-ve.

McGonigal përballet me një padi prej nëntë pikash në Uashington, ku akuzohet për mungesën e raportimit të pagesave në para dhe udhëtimet që ai bëri me ish-oficerin e inteligjencës shqiptare në Evropë në 2017 dhe 2018. Ai më parë u deklarua i pafajshëm për këto akuza.

Një paragraf hyrës në dosjen e gjykatës tregon se McGonigal synon të ndryshojë kërkesën e tij këtë të premte, por nuk specifikoi se për cilat akuza do të deklarohej fajtor.

Avokati i McGonigal dhe një zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të SHBA-ve në Uashington nuk pranuan të komentojnë përpara seancës.

Prokurorët amerikanë thonë se ish-oficeri shqiptar i inteligjencës kishte interesa biznesi në Evropë dhe ishte një burim për një hetim të FBI-së që përfshinte lobim të huaj, të cilin e mbikëqyrte McGonigal.

Akuzat më të rënda kundër McGonigal, mbartin një dënim maksimal prej 20 vitesh burg, por ka të ngjarë që prokurorët do të kërkojnë një dënim më të butë si pjesë e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë.