zoom

Ide & Blog

“U mbajmë pishtarin, që ta gjejnë vrimën kollaj! Shqipëria humbet nga Open Balkan, fitojnë Serbia dhe Maqedonia e Veriut”

Nga Pano Soko

Shiko, për një moment do zgjedh ta shoh ftohtë këtë çështjen e Open-Balkan. Pra larg politikës, patriotizmit, emocionit etj.etj..

Thjesht matematikë e pastër gjirokastriti.

Marrëveshja kryesore e firmosur sot në Shkup është ajo e lehtësimit të import eksporteve.

Për ta qartësuar – në garën tregëtare ndërkombëtare çdo vend synon që të fuqizojë eksportet e veta. Pra të shesë mallrat e veta jashtë dhe të sjellë para nga jashtë dhe t’i fusë ato brenda vendit. Dhe natyrisht “yzmeti” diplomatik iu bëhet atyre vendeve ku eksportohen mallra, sepse natyrisht aty është “brumi” nga ku zhvillohet ekonomia e një shteti.

Tani çfarë ndodh me tregun e tre vendeve që firmosën marrveshjen sot, duke i marrë në referencë me Shqipërinë.

Serbia në vitin 2020 ka shitur në Shqipëri rreth 280 milionë Euro mallra.

Shqipëria ka shitur në Serbi rreth 55 milionë Euro.

Maqedonia ka shitur në Shqipëri rreth 210 milionë Euro mallra.

Shqipëria ka shitur në Maqedoni 70 milionë Euro.

Tani, çfarë po bëjmë, po i bëjmë yzmetin ekonomive të Serbisë dhe Maqedonisë? Sepse ne gjithe-gjithe 125 milionë Euro (Serbi+Maqedoni) shesim në këto dy vende, ndërkohë që ato të dyja bashkë shesin në Shqipëri në vit 490 milionë Euro.

Pra i bie që 365 milionë Euro cash dalin neto nga Shqipëria dhe shkojnë në Serbi dhe Maqedoni.

Natyrisht që marrëveshja do të lehtësoje tregëtinë dhe do të rrisë volumet, po nëse rritja e tregëtisë do të jete 2%, trashë-trashë i bie që Shqipëria të shesë 2.5 milionë Euro më shumë në Serbi dhe Maqedoni (pra nga 125 të shkojë 127 milionë), ndërsa Serbia dhe Maqedonia do të shesin 10 milionë Euro më shumë në Shqipëri (nga 490 me përafërsi të shkojë gati 500).

Fitojnë ata, ne humbasim. Është e thjeshtë. Do nxjerrim më shumë Euro nga vendi. Futja kot me një llaf..

Dhe më e padurueshmja pastaj është fakti që Kosovës, që është një ndër vendet që shqiptarët eksportojnë më shumë, ne i vendosim traun në Kukës dhe i marrim 22 Euro për trajler.

Kosova sot që flasim blen rreth 1.1 milion ton mallra në Shqipëri. Shqipëria eksporton rreth 4 milion Ton mallra gjithsej në gjithë botën dhe ¼ e gjithë mallrave (si peshë volumetrike) që shesim jashtë, e merr Kosova. Pra ¼-a e të gjithë trajlerave, mauneve, kamionëve dhe autobotëve transportuese që shesin mallra shqiptare shkojnë në Kosovë. Ndërkohë që Shqipëria, në vend që të vrasë mendjen sesi t’a lehtësojë punën këtyre kamionëve koosovarë, si t’ua bëjë më të lehtë, si mund t’i ndihmojë ata që mos kenë pengesa, shkon dhe merret me Serbinë dhe Maqedoninë.

Apo të merremi me Italinë, Greqinë apo Gjermaninë që janë vendet kryesore të eksporteve. Joo mearzallah…

Dhe tjetra.

Çfarë përfitojmë ne nga kalimi i lirë i mallrave në Serbi apo Maqedoni? Shumë pak mallra që vijnë në Shqipëri apo që dalin nga Shqipëria kalojnë nga Serbia apo Maqedonia (përveç mallrave serbe dhe maqedonse).

Ne i kemi rrugët. Italia vjen në Durrës apo Vlorë, Greqia vjen në Kakavije dhe Kapshticë, Kina vjen në Durres, Turqia vjen në Durres apo në Kapshticë, Spanja vjen në Durrës, Gjermania vjen në Durres, Franca në Durrës.

Ku është përfitimi?

Ahhhh, po iu japim Durrësin dhe Serbisë dhe Maqedonisë, që ta kenë dhe ata aksesin në Adriatik? Që të ulim kostot e eksporteve serbe dhe maqedonase? Kjo është tjetër çështje pastaj… Jemi bërë bamirës..

Natyrisht ata gjithmonë, në jetë të jetëve, e kanë ëndërruar një dalje “falas” në Adriatik dhe ne po ua japim sot…falas.

Por, që ta përmbledh, problemi që kam unë me marrveshjen, është strikshmërisht ekonomik.
Aritmetikë ekonomike e pastër.
Ne humbasim. Kaq!

Ata fitojnë në kurrizin tonë.
Ata shesin më shumë mallra tek ne, fitojnë më shumë parà nga ne, ata përdorin infrastrukturë portuale që sot nuk e kanë, ndërsa ne..Ne asgjë.
Ne iu mbajmë pishtarin që ta gjejnë vrimën kollaj.

P.S. Se nuk më lë miza rehat… njerëzit kur bëjnë ortakëri në biznes, e bëjnë me vëllain apo kushëririn. Ndonjëherë e bëjnë dhe me shokun. Po s’kam parë ndonjëherë ortakëri mes dy hasmëve që bëjnë gjoja sikur janë miq, po që s’kanë hequr akoma fashon nga plagët.

Në të tillë ortakëri, njëri e ha – tjetri fiton. Dhe, nuk e di ju, po mua më dhemb pak që tani..