zoom

Ide & Blog

Trumpizmi nuk është konservatorizëm

Për sa kohë e kundërta e idesë së pluralizmit mbizotëron në Partinë Republikane, brutaliteti do të mbizotërojë mbi dashamirësinë, propaganda mbi debatin, konfrontimi mbi konservatorizmin, përçmimi mbi dinjitetin. Një parti që admiron më shumë Hungarinë e Viktor Orbanit se sa Nju Jorkun nuk mund të jetë as konservatore e as amerikane…

Donald Trump është pothuaj e kundërta e themeluesit të koservatorizmit, Edmund Burke. Si ka mundësi që një lëvizje që i jep aq rëndësi formimit moral të individit përfundon me nxjerrjen në krye të një njeriu që nuk e ka pasur për turp të mburret për akte të tij të degjeneruara morale? Si ka mundësi që lëvizja konservatore, e bazuar në dhëmbshuri dhe urtësi, nxorri në krye një njeri që nuk posedon asnjërën prej të dyjave? Si ka mundësi që një lëvizje që e koncepton shoqërinë si një organizëm të ndërlikuar nxjerr në krye një njeri që sheh në shoqëri vetëm dikotomi sempliste populiste? Si ka mundësi që një lëvizje ebazuar në respektin për urtësinë e së shkuarës të përfundojë me një lider si Trump-i, që u mburr në mënyrë autoritariste “Vetëm unë mund t’i jap zgjidhje problemeve të këtij vendi”. Ndoshta fjalia më pak konservatore që mund të egzistojë…

Arsyet pse konservatorizmi përfundoi në trumpizëm janë të shumta.

Së pari, racizmi. Konservatorizmi bën kuptim vetëm kur mundohet të ruajë kushte sociale që janë të shëndetshme për shoqërinë. Situata aktuale e mardhënieve raciale është themelisht e padrejtë. Të përpiqesh ta ruash atë është një krim moral. Konservatorët amerikanë kanë patur gjithnjë problem ta pranojnë këtë të vërtetë. Mentori im konservator, William F. Buckley Jr., u turpërua rreth kësaj çështje në debatin përballë James Baldwin, mbajtur më 1965 në Cambridge. 20 vjet më vonë, në revistën e drejtuar prej tij (ku unë punoja), racizmi nuk shfaqej hapur, por problemet e racizmit nuk trajtoheshin me thellësi dhe flirtimi i Partisë Republikane me nuancat raciste toleroheshin. Kur i injoron shenjat e kancerit, ai krijon metastaza…

Së dyti, ekonomia. Konservatorizmi është në themel një shpjegim sesi komunitete të ndryshme prodhojnë urtësi dhe virtyte. Përgjatë shekullit të 20-të, si e majta edhe e djathta ngritën në piedestal individin mbi komunitetin ku ai jetonte. Në të djathtën, kjo do të thonte më pak Edmund Burke e më shumë Milton Friedman. Fokusimi i të djathtës u zhvendos nga urtësia dhe etika tek interesi vetiak dhe rritja ekonomike. Siç ka shkruajtur George F. Will më 1984, u krijua një zhbalancim mes shqetësimit për mirëqenjen materiale dhe shqetësimit për jetën morale të qytetarëve. Synimi i të djathtës u bë sigurimi i maksimumit të lirisë individuale, sidomos asaj ekonomike – pa e vrarë shumë mendjen për zamkun që mban shoqëritë të bashkuara.

Sidoqoftë, arsyeja më e fortë që konservatorizmi përfundoi në trumpizëm ndoshta ishte shpirtërore. Dega amerikane e konservatorizmit britanik u bazua në besimin tek kombi. Teksa ishte një grumbull i vogël ishujsh, Britania arriti të dominojë botën. Pas saj, Amerika kontinentale ka patur një sukses të papërsëritshëm në histori, dhe çdo amerikan i thjeshtë e di këtë gjë. Për shekuj, konservatorët amerikanë e britanikë kanë qenë krenarë për këtë trashëgimi të lavdishme historike dhe kanë besuar se ndryshimet sociale duhet të ecin përgjatë këtyre shinave të së shkuarës.

Më 2016, ky besim ishte thërmuar. Kumunitete të tëra po shpërbëheshin, familjet po divorcoheshin, Amerika në tërësi po fragmentarizohej. Rajone të tëra ishin të prapambetura dhe shumë institucione elitare po annonin majtas, duke lënë jashtë shumë konservatorë. Mediat sociale po nxisnin një luftë brutale të të gjithve kundër të gjithëve, besimi tek njëri-tjetri në shoqëri po fundosej dhe klasa politike po bëhej gjithnjë e më e izoluar, mendjemadhe dhe imponuese. “Mëngjesi Amerikan” i kishte lënë vendin “Kasapahnës Amerikane” dhe një ndjenje të vazhdueshme kërcënimi të rendit social.

Do të desha të deklaroja se Trumpizmi s’ka asgjë të përbashkët me konservatorizmin, por kjo nuk është 100% e vërtetë. Siç kemi parë dikur me Enoch Powell, një nuancë pesimiste e konservatorizmit ka gjalluar gjithnjë nën hijen e tij, duke kërcënuar konservatorizmin optimist e besimtar. Pikërisht këtë nuancë pesimiste përqafoi Trump më 2016: Të huajt e këqinj po vijnë të na marrin gjithçka!

Sidoqoftë, të paktën në një mënyrë, Trumpizmi është vërtet anti-konservator. Si konservatorizmi i Burke, ashtu edhe liberalizmi i Lock përpiqeshin të gjenin mënyra për zbutjen e dallimeve shoqërore, pa përfunduar në autoritarizëm e dhunë. Trumpizmi ngjason me rrymat e para Iluminizmit, kur lufta sektare ishte permanente. Në botën Trumpiane, mosmarrveshjet zgjidhen me kërcënime e me forcë. Epistemologjia Trumpiane bazohet tek anti-epistemologjia: Vër në dyshim çdo gjë që deri më sot konsiderohet si e vërtetë, si dhe thuaj çdo gënjeshtër që të ndihmon të tërheqësh vemëndje e të sigurosh pushtet. Trumpizmi e konsideron dhembshurinë si dobësi. Fuqia është garancia në botën Trumpiane.

Aktulisht, në elektoratin e djathtë (sidomos tek të rinjtë), ekstremizmi po rritet. Jeta shihet si një luftë e pafund mes elitës oligarkike dhe njerzve të thjeshtë (volk, siç quheshin dikur në Gjermani…). Historia, sipas ekstremistëve, ëshë një duel i vazhdueshëm për jetë a vdekje. Autoritarizmi i sotëm, i ngjashëm me atë para Iluminizmit dhe i fryrë nga mediat sociale, nuk i është mirënjohës rendit të trashëguar pas Iluminizmit. Përkundrazi, e sheh atë si kërcënim: “Sistemi ju ka mashtruar”, “Sistemi është i ndërtuar kundër jush”, “Njerzit e mirë po i bën për budallenj”, “Prapa sistemit janë konspiratorë sekretë”, “Ekspertët janë fallco” , “Katastrofa është në prag”, “Vetëm unë mund t’ju shpëtoj”…

Trump-i i degradoi institucionet tradicionale në funksion të suksesit të tij personal. Kauza Trumpiane bazohet tek urrejtja ndaj atyre që nuk e duan Trump-in. Dhe meqë Trumpianët e konsiderojnë veten në një luftë permanente, u duhet të shpikin vazhdimisht armiq ekzistencialë – emigrantët, teoritë kritike ndaj racizmit, etj. Ata e trajtojnë Amerikën metropolitane si një kancer dhe i konsiderojnë ndryshimet demografike e kulturore të 50 vjetëve të fundit si një pushtim i huaj.

Por pluralizmi është një nga traditat më të vjetra të Amerikës; për ta konservuar këtë të fundit, duhet dashuruar pluralizmi – i ideve, racave, origjinave kombëtare.  Sidoqoftë, për sa kohë e kundërta e idesë së pluralizmit mbizotëron në Partinë Republikane, brutaliteti do të mbizotërojë mbi dashamirësinë, propaganda mbi debatin, konfrontimi mbi konservatorizmin, përçmimi mbi dinjitetin. Një parti që admiron më shumë Hungarinë e Viktor Orbanit se sa Nju Jorkun nuk mund të jetë as konservatore e as amerikane…

*Ky është një fragment nga eseja e opinionistit veteran konservator, David Brooks, botuar në revistën The Atlantic