zoom

Ekonomi

Tronditet Raiffeisen Bank, gropë 2.2 miliardë euro bashkë me UniCredit e disa banka të tjera

Bankat në Austri kishin 2.2 miliardë euro (2.35 miliardë dollarë) ekspozim në mesin e vitit 2023 si borxhe të dhëna gjigantit të shitjes me pakicë “Signa Group”, pronar i Chrysler Building në Nju Jork dhe dyqanit britanik Selfridges. Lajmi u bë i ditur për agjencinë prestigjioze të lajmeve Reuters, nganjë person me njohuri për çështjen.

Raiffeisen Bank International dhe Bank Austria e UniCredit përbënin dy të tretat e kësaj shume, tha ai për Reuters, i cili foli në kushte anonimiteti.

Ekspozimet, të cilat nuk janë raportuar më parë, hedhin dritë mbi lidhjet financiare të Signa, që ka qenë një lojtar kryesor në industrinë e pronave në Evropë për më shumë se dy dekada.

Raiffeisen Bank International, për të cilën personi tha se kishte reduktuar ndjeshëm ekspozimin e saj ndaj grupit Signa në vitet e fundit, nuk pranoi të komentonte të enjten. UniCredit gjithashtu nuk pranoi të komentojë mbi ekspozimin e saj.

Signa nuk iu përgjigj menjëherë një emaili që kërkonte koment të enjten. Banka Qendrore Evropiane (BQE), e cila mbikëqyr bankat, nuk pranoi të komentojë.

Të mërkurën, Signa tha se Rene Benko do të hiqte dorë nga kryesimi i kompanisë që ai themeloi dhe se kishte sjellë një ekspert ristrukturimi për të rishikuar portofolin e aseteve të saj.

Për vite me radhë, sektori evropian i pasurive të paluajtshme lulëzoi pasi normat e interesit mbetën jashtëzakonisht të ulëta, por një rritje e mprehtë e normave dhe kostove të ndërtimit ka çuar disa zhvillues në falimentim, pasi financimi i bankave thahet, marrëveshjet ngrijnë dhe çmimet bien.

Në javët e fundit, shitësi me pakicë i sporteve Signa paraqiti kërkesë për falimentim dhe ndërtimi në një grataçelë u ndal pasi zhvilluesi ndaloi së paguari ndërtuesin e saj. Agjencia e vlerësimit të kredisë Fitch uli një divizion të Signa.

Benko, i cili mbetet aksioneri më i madh i Signa, tha të mërkurën se ishte i sigurt se kishte “një të ardhme shumë të ndritur”.

Dhjetra banka, kompani sigurimesh dhe fonde pensionesh kanë financuar dhe investuar ndër vite në kompanitë Signa, prospekte të shitjes së obligacioneve dhe një prezantim të Signa të parë nga Reuters.

Lidhjet financiare janë veçanërisht të forta në Austri, ku Signa u themelua dhe ka selinë.

Raiffeisen Landesbank Niederoesterreich-Wien, Raiffeisen Landesbank Oberoesterreich dhe Erste Group janë gjithashtu midis bankave me ekspozime ndaj Signa, tha personi.

Erste tha se “portofoli i saj i pasurive të paluajtshme komerciale është me të vërtetë shumë i shëndoshë”. Dy bankat e tjera austriake nuk pranuan të komentojnë.

Bankat vendosën të reduktojnë ekspozimet e tyre pas diskutimeve me mbikëqyrësit e BQE-së, të cilët janë të shqetësuar për perspektivat e Signa-s, tha një person tjetër me njohuri për këtë çështje.

Një zëdhënës i bankës qendrore të Austrisë tha se nuk kishte shqetësime për stabilitetin financiar të vendit, kur u pyet për pozicionin financiar të Signa.

Banka Kombëtare e Austrisë dhe Autoriteti i saj i Tregut Financiar thanë se nuk komentojnë për institucionet individuale.

Signa ka emëruar konsulentë për ta ndihmuar atë të kryejë “një rishikim të plotë të të gjitha fushave të biznesit, duke zhvilluar masa dhe duke hartuar një koncept të integruar për grupin”.

Eksperti i ristrukturimit Arndt Geiwitz i cili ka marrë rolin e Benkos tha këtë javë: “Signa ka nevojë për qetësi dhe rregull në këtë kohë”.

NJË SKANDAL I RAIFFEISEN BANK QË TENTOHET TË MBAHET I FSHEHUR NË SHQIPËRI

Në Shqipëri, Raiffeisen Bank është përfshirë në një skandal të vjedhjes së llogarive bankare të disa klientëve. Ngjarja ka ndodhur në degën e Raiffeisen Bank në zonën e Kombinatit, në Tiranë. Drejtoresha e degës, e identifikuar si Esela Metaj, në bashkëpunim me disa arkëtare kishte ngritur një mekanizëm për të vjedhur klientët përmes mashtrimit.

Zoom.al, së bashku me disa media të tjera online, zbuluan vjedhja ishte raportuar te drejtuesit e Raiffeisen Bank, por ata kanë vendosur ta mbajnë të fshehtë për të mos dëmtuar imazhin e bankës, me qëllim që klientët të mos largohen prej saj.

“Ka ndërhyrje për të izoluar hetimet që të mos shkojnë deri tek roli i kupolës drejtuese (të Raiffeisen Bank) si drejtori i Përgjithshëm Christian Canacaris apo anëtarja e bordit drejtues për Retail, Vilma Baçe”, – raportuar të paktën dy portaleve të njohura në vend.

Zoom.al kërkoi informacione zyrtarisht nga Raiffeisen Bank në Shqipëri. Greta Lekaj, e zyrës së shtypit, në një përgjigjje të shkurtër dhe evasive, nuk e mohoi vjedhjen, por u përpoq ta mbulojë atë duke thënë se raportimet mbi rastin ishin të ekzagjeruara.

Zoom.al kërkoi përgjigje nëse përgjegjës për mos denoncimit të këtij rasti pranë organeve ligjzbatuese ishin Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bankës Christian Canacaris dhe anëtarja e bordit drejtues për Biznesin Retail, Vilma Baçe, siç u raportua nga disa media, por edhe pse ka kaluar 1 muaj nga kërkesa, nuk mori asnjëherë përgjigje.

As Banka e Shqipërisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Zoom.al nëse kishte marrë masa për rastin.

Një rast i ngjashëm i vjedhjes së klientëve nga drejtuesit e Raiffeisen Bank u regjistrua pak kohë më parë edhe në degën e kësaj banke në Bosnje Hercegovinë. Por ndryshe nga sa po ndodh në Shqipëri, drejtuesit e bankës në Sarajevë i denoncuan punonjësit që kishin ngritur një skemë mashtrimi si kjo e zonës së Kombinatit në Tiranë dhe u kishin marrë dhjetëra mijëra euro klientëve të ndryshëm. /Zoom.al

Vjedhje masive e llogarive bankare të klientëve të Raiffeisen, banka fsheh skandalin