zoom

Aktualitet

Tregoi autorët e përdhunimit në Vlorë, televizioni sulmon gazetaren. Reagon Unioni i Gazetarëve

Ngjarja e rëndë e ndodhur pak ditë më parë ka tronditur mbarë opinionin publik në Vlorë  Bëhet fjalë për përdhunimin e një 26-vjeçareje nga tre djem, sipas njoftimit të policisë së qytetit bregdetar.

Një tjetër ngjarje e dënueshme e ka ndjekur atë. Gazetarja vlonjate Afrovita Hysaj, ka raportuar (në një faqe të sajën në Facebook) se në ngjarje janë përfshirë 4 djem, dhe jo 3, siç raportoi policia. Ajo ka dhënë detaje duke zbuluar se motrat e dy prej autorëve të dyshuar janë drejtoresha në administratë. Ndërsa një i tretë është familjar i drejtuesit të televizionit lokal 6+1 Vlora.

Kjo deklaratë duket se ka irrituar drejtuesit e televizionit në fjalë, që kanë reaguar me një artikull jashtë çdo norme duke sulmuar gazetaren Hysaj.

Në artikullin e televizionit lokal, gazetarja etiketohet me termin e rëndë “prosti”, teksa e akuzojnë se po mundohet të përfshijë padrejtësisht këtë televizion në ngjarje.

Për rastin në fjalë reagoi dhe Unioni i Gazetarëve ku kërkoi ndërhyrjen e AMA-s dhe heqjen e postimit/lajmit nga televizioni lokal.

Gazetarë të tjerë janë solidarizuar me kolegen Hysaj.

Reagimi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Precedent i rëndë i kanalit 6+1 Vlora  me emrin dhe imazhin e një gazetareje

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është tronditur nga publikimi i një raporti televiziv i kanalit 6+1 Vlora me titull: ” …” Afrovita Hysaj mashtron qytetarët e Vlorës”, i transmetuar në datën 24 Tetor 2023, si në versionin brenda edicioneve informative të medias vendore ashtu edhe në atë online të kësaj medieje.

Ky raport, përmes gjuhës dhe fjalorit që përmban, cënon rëndë kodet e etikës së gazetarisë, linçon publikisht një punonjëse të medias, përdhos komunikimin publik dhe detyrimin ndaj tij dhe shënon një precedent të rrallë në sulmin e një medieje ndaj një gazetareje vendore.

Rasti në fjalë ka tronditur gjithë opinionin profesional dhe ka hapur diskutime të shumta mes entitetit tonë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron këtë një akt të rëndë.

Për këtë arsye, kërkojmë me urgjencë që editori i kësaj medieje, administratori i tij, në mënyrë urgjente të tërheqë nga publikimi dhe faqet zyrtare të medias, këtë raport.