zoom

Ekonomi

Tre muaj pushime, dy javë leje; Sa (shtrenjtë) u kushton prindërve vera e fëmijëve?

Tre muaj pushime, dy javë leje; Sa (shtrenjtë) u kushton prindërve vera e fëmijëve?

Më 12 qershor bie zilja e fundit e vitit shkollor. Për nxënësit nis periudha më e shumëpritur e vitit, gati tre muaj pushime. Për shumë prindër, sidomos ata që punojnë me kohë të plotë, nis një periudhë ku kërkimi i zgjidhjeve se kush do të kujdeset për fëmijët gjatë verës, bëhet kryefjala.

Për familjet ku të dy prindërit punojnë, vera po kthehet në një sfidë logjistike dhe financiare. Pushimet vjetore të shumicës së punonjësve në Shqipëri janë rreth dy javë. Në rastin më të mirë, një pjesë e administratës publike mund të përfitojë periudha më të gjata pushimi gjatë gushtit. Por për pjesën më të madhe të familjeve, sidomos në sektorin privat, puna vazhdon normalisht edhe gjatë muajve të verës.

Në të kaluarën, rolin e “kujdestarit veror” e luanin gjyshërit. Sot, me migrimin e familjeve, jetesën larg vendlindjes apo edhe angazhimet e vetë gjyshërve, kjo zgjidhje nuk është më e disponueshme për të gjithë. Për shumë prindër urbanë, kampet verore janë kthyer në alternativën kryesore.

Ato ofrojnë një kombinim të kujdesit ditor me aktivitete sportive, artistike, edukative dhe argëtuese. Për fëmijët janë një mënyrë për të socializuar dhe për të kaluar kohën në mënyrë aktive. Për prindërit, janë një garanci që fëmija është në një ambient të sigurt gjatë orarit të punës. Por kjo siguri ka një kosto.

Sa kushton një verë në kamp?

Nga tarifat e publikuara nga operatorë të ndryshëm në Tiranë, një kamp veror ka një kosto nga 15 mijë deri në 20 mijë lekë në javë për një fëmijë. Në disa raste çmimi përfshin ushqimin, aktivitetet dhe materialet didaktike, ndërsa transporti paguhet më vete.

Nëse një fëmijë ndjek kampin për një muaj, kostoja mund të arrijë mesatarisht 60 mijë. Për familjet me dy fëmijë, shifra mund të dyfishohet lehtësisht. Nëse prindërit duan të mbulojnë një pjesë të madhe të verës, fatura bëhet edhe më e rëndë. Dy muaj kamp për një fëmijë mund të kushtojnë mbi 1 milion lek dhe fatura shumëzohet me numrin e fëmijëve. Kjo do të thotë se për disa familje, vetëm organizimi i verës mund të kushtojë sa një pushim familjar jashtë vendit.

Kostoja bëhet edhe më domethënëse kur krahasohet me të ardhurat. Paga minimale në Shqipëri është 50 mijë lekë në muaj, ndërsa paga mesatare bruto në tremujorin e parë të vitit 2026 rezultoi rreth 90 mijë lekë, apo rreth 72 mijë lekë neto. Me fjalë të tjera, një muaj kamp veror për një fëmijë mund të kushtojë sa një pagë minimale e plotë. Për dy fëmijë, fatura mujore mund të jetë më e lartë se paga mesatare e një punonjësi.

Natyrisht, shumica e familjeve nuk i paguajnë kampet për të gjithë verën. Shumë prindër kombinojnë pushimet e tyre, ndihmën e familjarëve, kampet verore dhe kujdesin në shtëpi. Por edhe kështu, vera është kthyer në një zë gjithnjë e më të rëndësishëm në buxhetin familjar.

Një treg që po rritet

Kërkesa në rritje ka krijuar një treg të ri shërbimesh. Çdo vit shfaqen programe të reja verore të organizuara nga shkolla private, qendra edukative, akademi sportive, kurse gjuhe, studio arti dhe kompani të specializuara. Në një treg ku gjithnjë e më shumë prindër punojnë me orar të plotë, kampet po evoluojnë nga aktivitete sezonale në shërbime të mirëfillta kujdesi. Konkurrenca po rritet dhe bashkë me të edhe larmia e ofertave: nga kampet sportive dhe ato të notit, te kampet STEM, robotikës, gjuhëve të huaja apo aktiviteteve në natyrë.

Megjithatë, edhe pse oferta është zgjeruar, ajo mbetet e përqendruar kryesisht në Tiranë dhe në disa qytete të mëdha. Në pjesën tjetër të vendit, alternativat janë më të kufizuara dhe shpesh varen nga iniciativa të veçanta private.

Një problem që shkon përtej kampeve

Në thelb, kampet verore po mbushin një boshllëk që krijohet nga mospërputhja mes kalendarit shkollor dhe atij të punës. Fëmijët kanë rreth tre muaj pushime. Prindërit kanë disa javë. Ndërsa familjet shqiptare po bëhen më të vogla dhe mbështetja tradicionale nga familja e zgjeruar po zbehet, zgjidhja po blihet në treg.

Për këtë arsye, kampi veror nuk shihet më vetëm si aktivitet argëtues apo edukativ. Për shumë familje ai është bërë një shërbim i domosdoshëm, një lloj “çerdheje verore” për fëmijët e moshës shkollore. Dhe si çdo shërbim tjetër i domosdoshëm, ai ka një kosto që rëndon gjithnjë e më shumë mbi buxhetin e familjeve shqiptare./monitor.al

Postime të lidhura