zoom

Aktualitet

Vetëvrasja e dyshuar e 39-vjeçarit nga Tirana në Fier, arma dërgohet për ekspertim balistik

Gjendet i vetëvrarë në rrethana të paqarta dhe shkaqe enigmatike një 39-vjeçar nga Tirana. Zbulimi i trupit të pajetë dhe në një pellg gjaku brenda makinës, u bë nga udhëtarë të rastësishëm mesditën e sotme, në fshatin Daullas të Fierit.

Policia dërgoi grupin hetimor dhe konstatoi se viktima është J.B., banues në Tiranë, teksa po verifikohen problemet e mundshme të viktimës, nëse vuante nga depresioni, apo kishte konflikte dhe çështje të tjera familjare apo personale, që e çuan në aktin fatal. Policia tha se gjeti armën pistoletë pranë trupit dhe po kryen ekspertimin balistik për gjurmët e barutit dhe nëse ka puthitje që konfirmon flijimin.

Informacioni paraprak i Policisë Fier:

“Rreth orës 11:20, në një automjet tip “Volksëagen”, të parkuar në anë të rrugës, në fshatin Daullas, është gjetur i pajetë, shtetasi J. B., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet e deritanishme, dyshohet se 39-vjeçari është vetëvrarë me armë zjarri. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një gëzhojë të fishekut të saj.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e ngjarjes”. /ZOOM.AL/