zoom

Aktualitet

Trafiku i armëve të sofistikuara Shqipëri-Angli, 3 në pranga dhe 3 në kërkim. Pastronin dhe paratë

SPAK dhe Policia e Shtetit finalizuan një tjetër operacion dhe këtë herë kundër trafikut ndërkombëtar të armëve nga Shqipëria për në Britaninë e Madhe. Blutë kanë reaguar sot përmes një komunikate zyrtare lidhur me operacionin ‘Inkorporimi’.

Sipas edhe komunikatës 3 persona janë arrestuar në Tiranë, ndërsa 3 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Teksa gjatë këtij operacionit ku trafikoheshin armë nga Shqipëria drejt Britanisë, bëhet me dije se janë ngritur skema mashtrimi për pastrimin e parave edhe në sektorin e ndërtimeve. Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në 6 banesa, në Tiranë dhe në Tropojë.

Teksa është arritur që të sekuestrohet edhe arsenal armësh, policia raporton se ka gjetur 24 pistoleta, 1 kallashnikov e qindra fishekë e lazera që i montohen armëve speciale dhe shërbejnë për qitje në distancë, dhe pajisje optike. Ndërkohë bëhet me dije se në drejtimin e SPAK-ut dhe në bashkëpunim të ngushtë me BKH-në dhe me autoritetet ligjzbatuese britanike, vijon operacioni për kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Njoftimi i policisë:

“Finalizohet operacioni policor i koduar “INKORPORIMI”, ndjekur me metoda proaktive, për shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçame Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un, BKH-në dhe autoritetet ligjzbatuese britanike.

Gjatë operacionit u godit një grup kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Sekuestrohet një arsenal armësh i përbërë nga 25 armë zjarri (24 pistoleta dhe 1 kallashnikov), qindra fishekë, lazera që i montohen armëve speciale dhe shërbejnë për qitje në distancë, dhe pajisje optike. Sekuestohen dhe veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale, 4 automjete, 8 celularë, karta SIM, 2 laptopë dhe 2 armë të ftohta (thika).

Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 3 shtetas të cilët u kapën në Tiranë. Vijon puna në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet britanike, për kapjen e 3 shtetasve të tjerë që dyshohet se janë fshehur në Mbretërinë e Bashkuar, për të cilët GJKKO ka caktuar të njëjtën masë sigurie.

Konretisht janë arrestuar shtetasit: A. H., B. T. dhe R. A., të tre banues në Tiranë. Arsenali i armëve dhe sendet e tjera të sekuestruara janë gjetur në banesën e shtetasit A. H., i cili nga hetimit rezulton drejtuesi i grupit kriminal. Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në 6 banesa, në Tiranë dhe në Tropojë.

Operacioni, në kuadër të procedimit të iniciuar në muajin prill të vitit 2023, nga Drejtoria e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës. Operacioni është ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un, BKH-në dhe autoritetet britanike. Në muajin prill 2023, Policia, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, sekuestroi në Portin e Durrësit, një tjetër arsenal armesh (8 pistoleta) që do trafikoheshin drejt Mbretërisë së Bashkuar, me një furgon me targa angleze, drejtuesi i të cilit u vu në pranga.

Në drejtmin e SPAK-ut dhe në bashkëpunim të ngushtë me BKH-në dhe me autoritetet ligjzbatuese britanike, vijon operacioni për kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”. /ZOOM.AL/