zoom

Aktualitet

Top Story jo më në Top Channel/Zëvendësohet me një emision pro qeverisë? Stafi: Presion dhe censurë

Stafi i Top Story ka njoftuar se ky emision nuk do të transmetohet më në kanalin e Top Channel, aty ku lindi fillimisht. Së fundmi, Top Story-t do t’i hiqej edhe emri i programit, për shkak se do ti jepej një emisioni politik, i diskutueshëm për pozicionimin pro qeverisë, kanë deklaruar stafi në një postim në Facebook.

Më me detaje në njoftim thuhet se fillimisht stafi është njoftuar për anulimin e emisionit me temë “Oligarkët e Rilindjes Urbane” dhe se ka disa muaj që stafi janë nën presion.

“Duke nisur që në mënyrën e trajtimit të temave, largimin nga detyra të autorit të emisionit, ndëhyrjet në linjën editoriale, e deri në censurimin e emrit të emisionit”, -theksohet në postim.

Stafi ka bërë me dije se ky emision do të vazhdojë të transmetohet në një tjetër kanal, pa e njoftuar se ku. Ndërkohë emri i tyre ka ndryshuar nga “Top Story” në “Unpublished Story”.

Pak më herët, në televizionin kombëtar Top Channel u largua drejtori prej 4-vites, Ben Blushi dhe më vonë në të u rikthye gazetari Sokol Balla.

Postimi i plotë i stafit të Top Story:

“Top Channel mbyll Top Story!

Me keqardhje njoftojmë publikun, se emisionit investigativ #TopStory, i duhet të ndërpresë transmetimin në televizionin kombëtar Top Channel.

Ditën e djeshme, e mërkurë 30 mars 2022, në mënyrë të pashpjegueshme, është njoftuar stafi për anulimin e emisionit me temë “Oligarkët e Rilindjes Urbane”, edhe pse promo kishte tre ditë që ishte transmetuar në Top Channel.

Ky #investigim nxirrte në pah problemet, abuzimet dhe korrupsionin në ndërtimin e qendrave të qyteteve në 8 vitet e fundit.

Në fakt prej disa muajsh, stafi i Top Story është ndjerë nën presion nga drejtuesit, duke nisur që në mënyrën e trajtimit të temave, largimin nga detyra të autorit të emisionit, ndëhyrjet në linjën editoriale, e deri në censurimin e emrit të emisionit.

Duhet theksuar se Top Story është vlerësuar me 4 #çmime ndërkombëtare, dy prej të cilëve nga Bashkimi Europian dhe dy të tjerë nga OSBE.

Top Story nisi transmetimin në 19 Shtator 2018, me një ekip gazetarësh profesionistë, të cilët e tejkalonin informacionin bazë të raportimit.

Ky ekip ka realizuar mbi 100 #dokumentarë duke denoncuar afera të të gjitha llojeve nga konçesionet, kompanitë e mëdha, oligarkë, e deri në nivele zyrtarësh të lartë politikë apo drejtësie që cenojnë interesin publik.

Prej 12 muajsh, Top Story gjithashtu kishte fituar një grant mbështetës nga #BashkimiEuropian, me vlerë 165 mijë euro, për të mbështetur pavarësinë editorial të këtij emisioni investigativ. Edhe programi i patransmetuar ditën e djeshme “Oligarkët e Rilindjes Urbane”, ishte pjesë e financimit te Bashkimit Europian.

E sikur të mos mjaftojnë të gjitha këto, sëfundmi Top Story do t’i hiqej edhe emri i programit, për shkak se do ti jepej një emisioni politik, i diskutueshëm për pozicionimin pro qeverisë.

Në respekt të publikut, stafi i Top Story ju njofton se do të transmetojë të gjitha temat e papublikuara ose të censuruara, në një kanal tjetër komunikimi.

Shihemi së shpejti,

Stafi i Top Story!”