zoom

Aktualitet

“Tmerri” Alban Vogli! Si ka ushtruar dhunë e frikë ndër vite presindenti i një klubi futbolli

Ditën e djeshme, teksa në stadiumin “Selman Stërmasi” po zhvillohej ndeshja Tirana-Kastrioti, presidenti i Kastriotit, Alban Vogli, së bashku me Drejtorin Teknik të klubit do të shkaktonin tension në fushën e lojës duke e nderprerë atë.
Më pas do të grushtonin dy efektivë, që të ndalonin shoqërimin në polici.

Policia njoftoi sot se i ka arrestuar që të dy.
Për Alban Voglin, një personazh problematik i fushave të blerta, prangat nuk janë dicka e paprovuar.
34-vjeçari ka qenë vazhdimisht në vëmendjen mediatike për shkak të rasteve të dhunës.

Në maj të 2016-ës ai do të arrestohej pasi rrahu një gazetar.
Elduar Ilnica, i cili punonte asokohe për televizionin Telesport u sulmua ndërsa po ecte në një rrugë në Tiranë dhe u godit në mënyrë brutale.

Stafi i televizionit deklaroi se Vogli qe zemëruar nga fakti që gazetari ekspozoi dhunën e ushtruar prej tij gjatë një ndeshjeje të atyre ditëve.

Ngjarja do të sillte reagim të gazetarëve e politikanëve, ndër ta edhe Sali Berisha, i cili deklaroi se Vogli ishte mik i Emiljano Shullazit.

Tre vite më vonë, emri i Voglit do të qarkullonte sërish pas një kërcënimi bërë në drejtim të kryeredaktorit të “Panorama Sport”.

“Gati një orë më mbrapa presidenti i Kastriotit në mënyrë befasuese telefonoi në numrin tim personal, lëshoi një mori sharjes dhe fyerjesh për pasqyrimin që i kishim bërë ngjarjes. Realisht u ndjeva keq sepse thjesht po bëjmë detyrën, as nuk e njoh as nuk me lidh asgjë, thjeshtë që edhe ai është pjesë e botës e sportit edhe kaq”, rrëfeu Jetmir Halilaj, duke sqaruar se veprimi në fjalë erdhi pas raportimit të tensionit të shkaktuar atëherë, sërish në ndeshjen mes Kastriotit dhe Tiranës.

Rasti i ditës së djeshme është më i lehti.
Por ai është i përsëritur dhe si i tillë Alban Vogli rrezikon që kësaj here të mos ia hedhë pa u pagur. Për më tepër ai ka kundërshtuar dhe fyer edhe punonjësit e policisë në detyrë, çka e bën veprën e tij penale edhe më të rëndë. /Zoom.al