Aplikacion
Mbledhjet e kaluara ishin bojkotuar nga mazhoranca për arsye politike, teksa kreu i grupit Gazment Bardhi pati edhe një takim me kryeparlamentaren Lindita Nikolla për këtë ngërç, duke i kërkuar ndërhyrje dhe masa ndaj deputetëve socialistë.
Mes ironisë deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti tha se mbledhje e radhës ta mbajnë kur të ketë opozita protestë (iu referua protestës së radhës që po mbahet te Bashkia e Tiranës).
“Mbledhjen e ardhshme them që të jemi kur të keni ju protestë, që të jemi më efiçentë”, u shpreh ajo.
Kurse kryetari Ervin Salianji iu përgjigj:
“E pranoj sugjerimin tuaj. Kushdo që ka mundësi që të bashkohen në protestën para bashkisë në orën 11:00. Do vini në mbledhjen tjetër, por unë e thashë. Se kam mbyllur, e keni vetë. Protestën e kemi ne, më të gëzuar janë këta të PS. Pse ta mbyllim?! Ja ikën prapë. Këtë dua që t’ju përzë nga PS”.
Kurse nënkryetari Toni Gogu deklaroi gjatë fjalës së tij se rikonfirmoi qëndrimin e mazhorancës për të kryer një hetim të plotë konform ligjit e larg retorikës politike.
“Për të treguar vullnetin tonë të palëkundur për të hetuar, kursyem retorikat politike dhe gjithë kohën e vumë në dispozicion të veprimeve proceduriale. Kaq ishte e gjitha, Ervin”, deklaroi Gogu. Anëtarët e komisionit ranë dakord të miratojnë kërkesat e ekspertëve për të mbledhur informacion në mënyrë që më pas të vijohet me planin hetimor.
Dhe me kaq mbledhja mori fund, pasi anëtarët e mazhorancës u larguan. /ZOOM.AL/