zoom

Aktualitet

Thellohen përplasjet në Teatrin e Operas, regjisori Gjoni i përgjigjet kompozitorit Tukiçi

Skenografi dhe regjisori Andis Gjoni ka reaguar pas anulimit të operas “Rozafa” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit pas mosmarrëveshjeve me kompozitorin David Tukiqi.

Gjoni u shpreh se është përpjekur të evitojë konfrontimin në publik, por sipas tij kjo u bë e pamundur pas deklaratave jo të vërteta të kompozitorit Tukiqi.

Ai theksoi se të dy kishin nisur punën për vënien në skenë të shfaqjes dhe se Tukiqi kishte filuar të paraqiste argumenta duke “zvarritur e dëmtuar projektin” pas aprovimit nga TKOB për realizimin e operas.

Sipas tij Tukiqi vazhdoi me kokëfortësi të ndërhynte në çdo element të produksionit duke marrë përsipër rolin e producentit, regjisorit, skenografit dhe kostumografit.

Gjoni nënvizoi se Tukiqi jo vetëm theu kontratën verbale që kishte me të, duke e detyruar edhe të ndjekë edhe rrugë ligjore pasi disponon jo vetëm të gjitha e-mailet por edhe regjistrime me zë ku i është kërkuar të punojë e ndryshojë regjinë dhe skenografinë e kostumet por edhe dosjen e aplikimit për projektin “Rozafa”.

Reagimi i plotë:

“Projekti “Rozafa” u hoq nga kalendari i TKOB me shumë të drejtë dhe krejtësisht për faj të kompozitorit David Tukiqi

 

 

Së pari sqaroj që drejtoria e TKOB nuk ka bërë asnjë veprim arbitrar në drejtim të projektit “Rozafa”. David Tukiqi edhe unë kemi marrë shpjegim me shkrim për arsyet e heqjes së projektit nga kalendari i vitit 2023.

Kam dashur ta evitoj konfrontimin në publik midis dy profesionistëve, por kjo u bë e paevitueshme pas deklaratave jo të vërteta të kompozitorit David Tukiqi. Pra jam i detyruar të hedh dritë mbi projektin e dështuar “Rozafa” si më poshtë.

Në Janar të vitit 2022 unë u afrova tek kompozitori Tukiqi që të realizoj regjinë, skenat dhe kostumet e operas në fjalë dhe ramë dakord të bashkëpunojmë. Fillova punën dhe erdha disa herë në Tiranë enkas për këtë projekt. Këtë e dëshmojnë e-mailet pa fund mes meje dhe kompozitorit i cili mendonte ta vinte në skenë operan në Shkodër por unë sugjerova që të provonim TKOB pasi ishte i vetmi institucion me kapacitete për vënie në skenë të projekteve që kërkojnë një prapavijë dhe kolektiv artistik me eksperiencë.

Bazuar në idenë time për TKOB, krijova konceptin regjisorial, skenografinë dhe kostumet, plotësova dosjen e aplikimit pranë institucionit të TKOB sipas rregullave dhe e paraqita projektin i cili u aprovua bazuar në këtë dosje të hartuar prej meje dhe u fut në kalendarin vjetor. Në atë moment David Tikiqi filloi të paraqiste argumenta të përditshme e sistematike duke e zvarritur e dëmtuar projektin.

Fillimisht mendova se kjo mënyrë komunikimi ishte stili i tij i punës dhe pjesë e debateve që ka puna për realizimin e projektit dhe i ri-punova konceptet skenografike e regjisoriale më shumë se 10 herë. Por kjo me sa duket ja shtoi “oreksin” kompozitorit i cili vazhdoi me kokëfortësi të ndërhynte në çdo element të produksionit duke marrë përsipër rolin e producentit, regjisorit, skenografit dhe kostumografit.

Debatet e vazhdueshme dhe ndërhyrjet në punën e krijimet e mia e bënë të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit dhe kështu u detyrova të largohesha nga ky projekt duke dhënë dorëheqjen. Sigurisht dorëheqja ime u shoqërua edhe me tërheqjen e dosjes së produksionit që unë kisha paraqitur që përfshinte konceptin regjisorial, skenografinë, skicat teknike, dhe skicat e kostumeve.

Kjo e bëri automatikisht të pavlefshëm gjithë aplikimin për vënien në skenë të kësaj opere në TKOB. Meqenëse projekti “Rozafa” nuk kishte më dosje aplikimi me shumë të drejtë u vendos nga drejtoria e TKOB që të hiqej nga kalendari vjetor dhe ky vendim na u komunikua me e-mail të datës 03/08/2023. Sot e kësaj dite nuk di që kompozitori të ketë paraqitur ndonjë dosje të re aplikimi pranë drejtorisë ndaj së cilës po ankohet me “klithma” artistike. Ai sigurisht që është i lirë të paraqesë ç’të dojë por jo me punën time.

Eshtë e pakonceptueshme që një person i cili shkaktoi kaq shumë humbje kohe dhe pune në fund të paraqitet si viktimë. Ky është një konflikt i filluar dhe i bitisur në mënyrën më joprofesionale të mundëshme nga David Tukiqi.

Si përfundim z.Tukiqi jo vetëm theu kontratën verbale që kishte me mua por me sa duket do më detyrojë të ndjek edhe rrugë ligjore pasi disponoj jo vetëm të gjitha e-mailet por edhe regjistrime me zë ku më është kërkuar të punoj e ndryshoj regjinë dhe skenografinë e kostumet por edhe dosjen e aplikimit për projektin “Rozafa”.

Së fundmi i këshilloj gjithë ata që do marrin “guximin” të bashkëpunojnë me këtë profesionist të shkallës së parë që të marrin parasysh jo vetëm humbje kohe kolosale por edhe humbje personaliteti. I uroj suksese sidoqoftë!”. /ZOOM.AL/