zoom

Blog

The Economist: Shqipëria regres në demokraci. Qeveria dhe liritë e qytetarëve problemet kryesore

Shqipëria ka bërë regres në rrugën e saj drejt demokracisë gjatë 2023-shit, sipas indeksit të The Economist. Vendi ynë ka humbur dy pozicione nga një vit më parë, duke u listuar e 66-a nga e 64-ta që ishte një vit më parë dhe kategorizohet si një “demokraci me të meta”.

Sipas pesë indikatorëve, The Economist e vlerëson me 6.28 pikë demokracinë në Shqipëri, po ashtu më rënie nga viti i shkuar. Dy treguesit e demokracisë ku Shqipëria ka bërë pas është ai i “funksionimi i qeverisë”, ku ka rënë me 0.36 pikë dhe tek “liritë e qytetarëve” me -0.29 pikë.

Në Indeksin e 2022-shit, Shqipëria kishte performancë më të mirë se vendet e rajonit, të cilat po ashtu janë demokraci të meta, por këtë vit ajo lë pas vetëm Maqedoninë e Veriut.

Europa mbetet kontinenti më demokratik sipas matjeve, ndërsa SHBA ka bërë regres të fortë. Norvegjia, Zelanda e Re dhe Islanda mbajnë vendet e para të këtij Indeksi dhe vlerësohen me pikët maksimale nën kategorinë “demokraci e plotë”. Vendet e fundit janë të rezervuara për Afganistanin, Mianmarin dhe Korenë e Veriut, ku demokracie duket inekzistente. Në tërësi performancën më të mirë e ka patur Greqia, e cila është rikthyer në kategorinë “demokraci e plotë”.

The Economist thekson se vetëm 68 vende përparuan me demokracinë gjatë 2023-shit dhe shumica vazhdojnë të jenë “të sëmura” që nga goditja e pandemisë. 59 shtete cilësohen si regjime autoritare, 95 si regjime hibride, 48 demokraci me të meta dhe 24 demokraci të plota.