zoom

Ide & Blog

Tezat populiste për kreditë konsumatore, më të dëmshme se skandali i mikrokredive

“Unë e kam gjetur këtë methodë të re: të dhemb një dorë? Preje që të shpëtojë tjetra! Të dhemb një këmbë? Me vrap sharroje që të shpëtosh tjetrën! Të dhemb një sy? Kërreje çpejt që të mos sëmuret dhe tjetri! Kështu m’ra dhe për time shoqe: i dhembi një ditë syr’ i djathtë: me vrap ja qita dhe sot syr’ i mëngjër është shëndosh e mirë, sa shikon edhe natën…”

Kjo mendësi shqiptare e mishëruar nga Çajupi në personazhin e tij qesharak, doktor Adham-Uti, në veprën “Pas Vdekjes” vazhdon ta shoqërojë shoqërinë shqiptare edhe sot pas afro 100 vjetësh.

Kështu po ndodh së fundi me kompanitë e mikrokredive, pas skandalit që shpërtheu nga abuzimet e dy kompanive që ofronin kredi konsumatore. Dy kompanitë, MCA dhe FINAL, sipas prokurorisë, kishin ngritur një skemë posaçërisht për të zhvatur qytetarët që kërkonin financim për t’i përdorur për qëllime të ndryshme.

Kur prokuroria goditi skemën, mjaft zëra të shoqërisë civile reaguan me forcë. Shumë prej tyre kërkuan me të drejtë që hetimeve t’u shkohej deri në fund, që përgjegjësit të viheshin para drejtësisë dhe që të gjendej një zgjidhje për viktimat e skemave abuzive.
Rasti i Pal Trashajt që i dha fund jetës duek pirë helm përpara zyrave të SPAK, se kishte rënë viktimë e këtyre skemave, e nxiti më shumë reagimin publik. Por reagimi, mes zemërimit dhe nevojës për protagonizëm, i kaloi kufijtë e kërkesave të arsyeshme.

Si doktori i Çajupit, disa personazhe kërkuan mbylljen e të gjitha institucioneve financiare që japin kredi konsumatore.

“Shqipëria duhet t’i mbyll urgjentisht këto kioskat që japin kredi 5 milion e marrin pas 30 përmes skemave të shitjes së borxhit të keq dhe interesave stratosferik duke zhytur në mjerim dhjetëra mijëra familje në këtë vend” -kërkoi Adriatik Lapaj.

Teza të tilla populiste u mbështetën edhe nga të tjerë zëra që po kërkojnë të zënë një vend në llozhën politike të Shqipërisë. Secili në hesapin e tij kërkoi që t’i vihej dryni sporteleve që japin kredi konsumatore.

Në Shqipëri, kredi konsumatore ofrojnë prej dekadash institucione financiare dhe banka të ndryshme. Secila prej tyre ka rregulla të përcaktuara të funksionimit. Por gjithësecila mund të ngrejë skema abusive. Autoritetet që i licensojnë apo duhet t’i kontrollojnë kanë përgjegjësi të drejpërdrejtë në rastet abusive. Por mbyllja e një banke që zbaton rregullat për shkak se një bankë tjetër i shkel ato, është tamam mendësi e Adham-Utit.

Kreditë konsumatore po luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare ashtu si në çdo vend tjetër.

“Financimi i konsumatorit është bërë një pjesë e rëndësishme e ekonomisë globale. Ai luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e konsumit dhe rritjen e standardit të jetesës nëpërmjet ofrimit të aksesit në kredi për individët si për investime ashtu edhe për të kapërcyer kohë të vështira, si dhe për t’i ndihmuar ata të mbrohen nga pasiguria” – thonë ekspertët ndërkombëtarë.

“Aftësia e një konsumatori për të marrë hua lehtësisht para lejon një ekonomi të mirë-menaxhuar të funksionojë në mënyrë më efikase dhe stimulon rritjen ekonomike. Disponueshmëria e kredisë u lejon familjeve të kapërcejnë kufizimet e likuiditetit dhe lejon që konsumi të zbutet gjatë periudhave me të ardhura të larta dhe të ulëta” – vijojnë ekspertët.

Askush nuk pëlqen të ketë borxhe. Por ofrimi i një kredie apo marrja e saj nuk përbën krim në asnjë rast. Dhe rastet abuzive nuk mund të jenë përgjithësuese, sado e madhe të jetë dhimbja për Pal Trashajn apo qindra qytetarë të tjerë që janë mashtuara nga disa skema zhvatëse në mesin e institucioneve financiare.

Në këtë kontekst, kërkesat për mbylljen e të gjitha sporteleve që japin kredi konsumatore janë po aq absurde sa të kërkosh të futen në burg të gjithë politikanët e të ngjashmit e Adriatik Lapajt, vetëm pse Ilir Beqja me shokë kapen duke vjedhur; të kërkosh të prangosen të gjithë mjekët vetëm pse disa nga ata të Onkologjikut u marrin para pacientëve dhe i lënë pa ilaçe; apo të kërkosh të lirohen nga detyra e të arrestohen të gjithë policët, prokurorët e gjyqtarët, vetëm pse disa prej tyre janë të korruptuar.

Për të tilla ide, që duhet thënë se janë më të dëmshme se edhe vetë skandali i mikrokredive, përgjigjen e ka sërish Çajupi me personazhin e Zenelit, i cili e konstraston në mënyrë mjeshtërore kokëkrisjen adhamutiane që prek kufitë e marrëzisë, e cila fatkeqësisht ka mbetur e rrënjosur në shoqërinë shqiptare dhe ngre kokë herë pas here, sipas interesave.

“Dreq o punë! Shëroke fort bukur! Ahere, zotëni, po t’i dhembi ndokujt koka, iu dashka prerë?”/ Zoom.al