zoom

Aktualitet

Tentuan t’i merrnin 35.000 euro biznesmenit, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë! Zbulohet skema

Tre persona janë arrestuar dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim pasi tentuan t’i merrnin një biznesmeni nëpërmjet mashtrimit një shumë prej 35.000 euro.

Në pranga ranë Afrim Radici, Gezim Çelanji dhe Qazim Vata, ndërsa u shpall në kërkim 40-vjeçari me iniciale F. Gj., 40 vjeç, i dyshuar si organizator i kësaj skeme mashtrimi.

Sipas policia, këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një biznesmen, për të përfituar shumën 35 000 euro, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve, me emra të ndryshëm.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Replay”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Stacionin e Policisë Farkë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Tentuan të përfitonin një shumë të madhe parash, nëpërmjet mashtrimit, nga një shtetas (biznesmen), duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve, vihen në pranga 3 shtetas.

Shpallet në kërkim një 40-vjeçar, i dyshuar si organizator i kësaj skeme mashtrimi.

Sekuestrohen 2 automjete dhe 5 aparate celulare të autorëve të dyshuar.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Stacionin e Policisë Farkë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve ekonomike, , në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Replay”, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të disa shtetasve të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin tentuar të mashtronin një biznesmen, për të përfituar shumën 35 000 euro.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi për veprën penale “Mashtrimi”, i shtetasve A. R., 34 vjeç, banues në Librazhd, G. Ç., 41 vjeç, banues në Skrapar, dhe Q. V., 22 vjeç, banues në Kukës.

Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një shtetas (biznesmen), për të përfituar shumën 35 000 euro, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve, me emra të ndryshëm.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi F. Gj., 40 vjeç, i dyshuar si organizator i kësaj skeme mashtrimi. Vijon puna për kapjen e shtetasit F. Gj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete dhe 5 aparate celulare.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.