zoom

Aktualitet

Tentoi të grabiste me pistoletë lodër “Exchange”, arrestohet 30-vjeçari në Durrës. Emri dhe detajet

Zbardhet brenda pak orësh, tentativa për grabitje e një dyqani këmbimi valutor në Durrës.

Policia lokale konfirmoi se identifikoi dhe prangosi sot autorin e dyshuar, Erind Lubishta, 30-vjeç. U sekuestrua edhe pistoleta lodër e përdorur prej tij, gjatë tentativës për vjedhje, si dhe veshjet që mbante.

“Mesditën e djeshme, menjëherë pas njoftimit se një shtetas kishte tentuar të vidhte në një dyqan këmbimi valutor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit/ve të kësaj tentative vjedhjeje.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me mbështetjen e informacioneve nga inteligjenca policore, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të rastit, shtetasit: Erindi Lubishta, 30 vjeç, banues në Durrës”, thuhet në njoftimin zyrtar.

I riu akuzohet se rreth orës 12:45 të së premtes, në lagjen nr. 1, ka hyrë në një dyqan këmbimi valutor dhe në kërcënimin e një pistolete lodër, ka tentuar të vjedhë një shumë parash. Por kjo tentativë dështoi pasi punonjësi e pikasi dhe autori nuk arriti dot qëllimin, duke u arratisur.

“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pistoleta lodër dhe veshjet që ka pasur autori i dyshuar, gjatë ngjarjes. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, sqaroi policia. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura