zoom

Bota

Tensione në Veri, policia hedh gaz lotsjellës në Zveçan! Forca të shtuara të KFOR

Forca të shtuara të KFOR kanë shkuar mëngjesin e sotëm në dy komunat në veri të Kosovës, Zubin Potok dhe Leposaviç.

Policia e Kosovës ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë qytetarët serb që tentuan të hyjnë në godinën komunës së Zveçanit.

Në këtë komunë është vendosur një gardh metalik, i cili e ka bllokuar rrugën që çon drejt ndërtesës së komunës, raporton Telegraf.

Grupe qytetarësh serbë u mblodhën gjithashtu para ndërtesës së komunës në Leposaviç për të kundërshtuar marrjen e pushtetit lokal nga kryetari i ri shqiptar, Lulzim Hetemi.

Ndërkohë shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian thanë se presin që Qeveria e Kosovës të mos ndërmarrë asnjë masë të re për hyrje me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

“Në këtë kontekst, QUINT-i dhe BE-ja presin që Qeveria e Kosovës nuk do të ndërmarrë asnjë masë të re për hyrje me forcë në ndërtesat e Komunës së Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit. Kryetarët e zgjedhur duhet po ashtu të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të treguar përkushtimin e tyre dhe përgjegjësinë për të përfaqësuar dhe për t’iu shërbyer të gjithë anëtarëve të komuniteteve të tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian të lëshuar më 28 maj.