zoom

Sport

Të mbytur në borxhe, Interi del në shitje

Nuk kanë mjaftuar fitimi i titullit kampion dhe as rreth 200 mln eurot e arkëtuara nga shitja e Aschraf Hakimit dhe Romelu Lukakut dhe as kalimi i aksioneve nga Suning te Great Horizon. Interi është duke shkuar drejt shitjes për shkak të borxheve.

Paratë e siguruara nga shitjet e lojtarëve duket se nuk u kanë mjaftuar drejtuesve kinezë për të mbyllur gropën e madhe financiare që u thellua edhe më shumë gjatë vitit të pandemisë, pavarësisht se skuadra u shpall kampione pas 11 vitesh.

Steven Zhang kërkon që të shesë klubin për 1 miliardë euro, por mediat italiane thonë se çmimi i vendosur nga pronari kinez i zikaltërve po tremb investitorët e interesuar, oferta e të cilëve ka shkuar deri në 700 mln euro.

Strategjia e klubit për dalje nga kriza bazohej fort te Supeliga e Europës. Por me tërheqjen nga kjo ide, ku sot vazhdojnë të këmbëngulin vetëm Real, Juventus dhe Barcelona, gjendja është rënduar edhe më shumë.

340 mln eurove borxhe u shtohen 72 mln euro të tjera si norma interesi që kërkohen nga kompania amerikane “Oaktree”, që ka blerë borxhin e Interit. Pikërisht kjo kompani ka rritur presionin ndaj Interit për shlyerjen e këtij borxhi.

Kjo duket se ka qenë edhe arsyeja se përse që prej fillimit të këtij viti drejtuesit e Interit nisën një fushatë për reduktimin e pagave të lojtarëve, ndërsa nxorrën në shitje e shitën lojtarët që ishin kyç në suksesin e fitimit të kampionatit, si Lukaku dhe Hakimi.