zoom

Blog

Të dashur demokratë, mos e bëni kurban njëri-tjetrin

Një mesazh për demokratët

Të dashur demokratë, ndonëse nuk i përkas partisë suaj dhe nuk jam as anëtare e kësaj partie, në cilësinë e një njeriu që e ka mbështetur këtë parti për të provokuar ndryshimin në këtë vend, miqësisht po i lejoj vetes t’ju jap një këshillë që i shërben vazhdimësisë së forcës politike që përfaqësoni.

Përtej Berishës dhe Bashës ka një Parti Demokratike që duhet të vazhdojë të ekzistojë sikundër ka lindur dhe ka ekzistuar në kohë shumë më vështira. Nuk ka nevojë t’jua përshkruaj unë përkushtimin tuaj për vite në atë parti, pasi është koha juaj dhe përkushtimi juaj.

Sulmi virtual mes demokratëve mund t’i shërbejë kujtdo, veç vazhdimësisë së forcës opozitare më të madhe në vend.

Mund të mbani qëndrimin tuaj pa bërë kurban tjetrin që nuk mban të njëjtin qëndrim. Në fund të ditës faktet do të flasin për vullnetin e shumicës së demokratëve.

Forca më e madhe opozitare në vend është në ditën e saj më të vështirë. Nëse kjo forcë shkrihet, bashkë me të shkrihet edhe mekanizmi i vetëm që mund të provokojë ndryshim në këtë vend.

Të dashur demokratë nuk vini në pushtet veçse me votat tuaja. Ju duhen edhe votat e pjesës gri e cila tek ju duhet të shohë fillimisht tolerancën e mendimit ndryshe.

Në vazhdimësinë e Partisë Demokratike ndikon në thelb respektimi i mendimit ndryshe.

Të dashur demokratë duhet të mendoni se në një të nesërme Partia Demokratike duhet të ripropozojë veten e saj para shqiptarëve dhe në këtë ripropozim qasja e secilit prej jush ka një ndikim thelbësor.

Post Scriptum- Miqësisht Elona Caslli