zoom

Aktualitet

Taulant Balla dhe Aurel Zarka, kurban i “Toyota Yaris”? Gazetari: Prokuroria e Belgjikës…

Përgjimet e platformës së koduar kibernetike SKY ECC zbuluan pas gjashtë vitesh implikimin në një aferë korruptive të kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, një oficereje të Krimeve të Rënda, një avokati dhe të afërmit të një të akuzuari, në dosjen “Toyota Yaris”, ku u kapën 3,4 mln euro cash që vinin me trajle transportuese veturash nga Belgjika më 2018-ën.

Kjo ngjarje trazoi jo pak politikën shqiptare atëkohë, për shkak të një dekonspirimi të mundshëm të operacionit. Lulzim Basha e publikoi lajmin para se të finalizohej aksioni duke akuzuar Taulant Ballën si të implikuar në këtë aferë.

Pavarësisht hetimeve intensive, dosja në fund u shfry me dënime qesharake vetëm për “transportuesit”, kurse pronarët dhe të implikuarit kryesorë nuk u vunë asnjëherë para drejtësisë.

Prokuroria belge bëri hetime paralele dhe ka 15 persona nën hetim dhe akuzë në Bruksel. Një grup prokurorësh belgë erdhën në Shqipëri dhe morën në pyetje dhe Bashën për deklaratat e tij.

Gazetari i kronikës, Artan Hoxha hedh dyshime se prokuroria federale belge është e pakënaqur me rezultatet e drejtësisë në Shqipëri dhe hedh dyshime se lëvizjeve të fundit qëndron organi belg i akuzës.

“Më duket se dosja “Toyota Yaris(Auris)”, e Prokurorisë Federale të Belgjikës, sapo ka nisur të bëjë “kurbanët” e parë në Shqipëri!!!! Federalët belgë nuk qenkan kënaqur me “transportuesit”. Më duket po kërkojnë pronarët e vërtetë të parave dhe kush përfitoi nga sponsorizimi në fushatat elektorale?! Pak halle kemi ne këto kohëra qameti, edhe këta kishim mangut…!!!!”, shkruan Hoxha.

Më 26 qershor 2018 edhe Sali Berisha do të akuzonte Taulant Ballën për aferën “Toyota Yaris”.

“Zgërdhimtari Balla priste 5 milionë euro që do vinin nga Gjermania me Toyota Yaris” – deklaronte ai.

SPAK njoftoi sot se kishte arrestuar kreun e akuzës në Vlorë, Aurel Zarka, pasi në bashkëpunim me Astrit Vladin, kushëririn e vëllezërve Vladi të akuzuar si pronarë të 3,4 mln eurove, avokatin Radovan Çela dhe ish-oficeren e Policisë Gjyqësore, Eriona Dautaj, dyshohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në një çështje nën hetim. Dosja ishte pikërisht “Toyota Yaris” dhe zbulimi u bë nga përgjimet e SKY EÇ.

Arrestimet vijnë një ditë pas largimit të Ballës nga posti i Ministrit të Brendshëm, duke shtuar hijet e dyshimit mbi arsyet se përse Rama vendosi ta shkarkojë Ballën vetëm pas 10 muajsh në këtë detyrë.

Në verën e vitit 2018, pas disa vitesh zvarritjeje, prokuroria urdhëroi arrestimin e disa personave. Mes tyre pronari i shoqërisë transportuese të tregut të makinave, Edi Lika, djalin Klevi Lika, shoferin Agim Ceka dhe biznesmenin Alban Mollaymeri, që u liruan më pas, ndërsa Ervis Vladi u mbajt përgjegjës duke u dënuar me 1 vit e 6 muaj burg për “mosdeklarim të ardhurash në kufi”. /Zoom.al