zoom

Politikë

Tabaku: Duhet të ishit para drejtësisë! Manja: Ata që e sulmojnë SPAK janë në krahun tuaj

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, është përfshirë në replika me deputeten e PD-së, Jorida Tabaku në lidhje me rezultatet e Reformës në Drejtësi. Manja tha se drejtësia sot është duke kryer detyrën.

Sipas tij mes mazhorancës dhe opozitës ka një ndryshim të madh kur vjen puna tek raporti me drejtësinë. Ai i kërkoi deputetes që të lerë retorikën politike dhe drejtësia të bëjë punën e vet.

Ndërkohë deputetja e PD-së u përgjigj duke thënë se nuk e ka sulmuar drejtësinë e re. Sipas saj, SPAK është sulmuar në Asamblenë e PS. Ajo shtoi se Manja duhet të ishte përpara drejtësisë dhe përmendi dosjet 184 dhe 339.

Ndërkohë, Manja theksoi se PD është ajo që pengon dhe sulmon SPAK. Ai përsëriti se sa herë SPAK ka pasur çështje me mazhorancën, këta të fundit i janë përgjigjur drejtësisë në çdo kohë.

Ulsi Manja: Në fakt replikat zakonisht i bëjmë nga vendi, por dola këtu për të thënë shumë shkurt një përgjigje që do duhet t’i shërbejë kësaj salle dhe kolegëve. Kolegia Tabaku pyeti se pse e bëmë Reformën në Drejtësi dhe ku është drejtësia sot. E para Reformën në Drejtësi e nderuar kolege e bëmë që në këtë sallë të mos flitet më për një pushtet të pavarur, për drejtësinë. Reformën në Drejtësi e bëmë që politika të rrijë larg drejtësisë. Ky ishte thelbi. Sepse drejtësia deri dje ishte në këmbët e politikës dhe u desh vullneti i kësaj shumice dhe i 140 kolegëve të tjerë që votuan ndryshimet kushtetuese që drejtësia të jetë e pavarur dhe larg politikës. Është shumë e thjeshtë dhe nuk ke pse e bën këtë pyetje në këtë sallë dhe do t’ju sugjeroja të gjithëve që të mos e bëni këtë pyetje në këtë sallë. E dyta ku është drejtësia sot? Drejtësia sot as më shumë e as më pak, po bën detyrën. Nëse keni raste konkrete ku është ndërhyrë hapur tek drejtësia për çështje konkrete është mirë t’ua thoni shqiptarëve në këtë sallë. Sa për raportin e kësaj mazhorance me drejtësinë nuk po hyj t’i referohem historisë pas viteve ’90 sepse është si drita e diellit ndryshimi jonë me ju në raport me drejtësinë. Drejtësia e djeshme dhe kur ju ishit në pushtet e kishit në paradhomën e kryeministrit, presidentit e kështu me radhë. Raporti ynë me drejtësinë ka qenë konseguent nga dita 1 që pas viteve ’90. Dhe ku është drejtësia sot raporti ynë është i tillë, sot ke ministra, ish-ministra, ish-kolegë tanë që po përgjigjen para drejtësisë. Ka qenë kjo mazhorancë që e ka inkurajuar këtë drejtësinë e re që të hetojë mbi këdo dhe për çdo gjë. Tani nuk mundet t’i thuhet drejtësisë pse s’bën këtë. Dil këtu dhe thuaj kush është personi dhe çështja konkrete që kjo mazhorancë kanë intimiduar drejtësinë. Retorikë politike në këtë sallë nuk mundet të ketë. Lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet. Kjo është thirrja që kam. SPAK-u është duke bërë detyrën. Hetimi nuk mbaron brenda ditës, ka rregullat e veta. Duroni, prisni hetimin. Kështu përgjigja është për të dyja pyetjet, pse e bëmë dhe ku është? Kjo është!

Jorida Tabaku: Edhe unë bazuar mbi sugjerimin që zoti Manja dha nuk e kam sulmuar drejtësinë siç është bërë në Asamblenë e PS. Besoj që jam në detyrën time si deputete e parlamentit të Shqipërisë që të kërkoj informacion se ku janë hetimet. Ku janë hetimet e dosjes 184 dhe 339 zoti Manja? Pse e kërcënoni SPAK-un zoti Manja? Pse nuk e lini të bëjë detyrën e vet për të cilën e kemi votuar ne si deputetë? Pse sot SPAK është bërë organi më i sulmuar nga të gjithë ata që kanë një dosje sot në prokurori? Kur është parë ndonjëherë që nga organizata politike të sulmohen organet e drejtësisë dhe të jepet urdhër se çfarë të bëhet, se çfarë të hetohet? Për mua do të ketë drejtësi zoti Manja në qoftë se të gjithë ata që sot kanë një dosje me akuza të vërtetuara ashtu siç është 184 dhe 339 do të jenë përpara drejtësia. Për sa kohë kjo nuk jepet dhe jemi në kuadrin e retorikës politike nuk besoj se do të kemi drejtësi. Me këtë thirrje i drejtohem jo juve si ministër i Drejtësisë, se sot jeni nesër nuk do të jeni, unë sot jam deputete nesër nuk do jem, i drejtohem politikës, pushtetit ashtu siç e thash të djeshëm, të sotëm, të nesërm… kushdo që ka pushtet duhet të jetë përpara drejtësisë ashtu siç duhet të ishit dhe ju sot zoti ministër. 184 dhe 339 nuk janë vetëm detyrime në procesin e integrimit, por janë çështje në vjedhjen e zgjedhjeve që në qoftë se hetohet personat në ato dosje sot duhet të ishin para drejtësisë dhe kjo nuk po ndodh.

Ulsi Manja: Për zonjën Tabaku e dëgjova në replikë, por kam përshtypjen që e ke në krahun tënd gjithë sa the apologjinë për drejtësinë zonja Tabaku sepse ata që e pengojnë SPAK-un dhe ata që e sulmojnë SPAK-un nga mëngjesi në darkë dhe i kanë vënë dhe epitete nga më të ndryshme janë te krahu juaj. Nëse i do saktësisht, i ke pas vetes. E kam thënë me kohë që duhet një vijë ndarëse aty, por më mirë kështu siç jeni. E ke për krahun këtej dhe jo për ne. Me emra me mbiemra po të duash, një për një nga krahu ku je ti dhe kush është në sallë se kush e pengon dhe intimidon SPAK-un. Sa për të tjerat e kam thënë një herë do e them sa herë ta kërkoni. Raporti im me drejtësinë është i tillë, sa herë drejtësia të ketë punë me këtë mazhorancën këtej ne i jemi përgjigjur drejtësisë në çdo kohë. Ndërsa ky krahu këtej i ka shpëtuar drejtësisë me procedura dhe raporte mjekësore. Kur nuk ju vjen mirë kjo gjë e thoni fjalën këtu dhe dilni nga salla se ju vjen orari i gjumit. Se ju e mendoni politikën dhe shërbimin ndaj qytetarëve me orar gjumi. Dhe ai orari gjumit ju ka marrë në qafë dhe ju ka sjellë këtu ku jeni sot. Dakord? Kështu që të jemi të qartë në këtë pikë. Drejtësia prej kësaj mazhorance ka vetëm një gjë, mbështetje dhe suport buxhetor sa herë t’i kërkohet kësaj mazhorance dhe kësaj salle për drejtësinë e re.