zoom

In Zoom

Statuti i PD, pika që mban me shpresë Lulzim Bashën dhe skenari i fundit i mbështetësve të Berishës

Lulzim Basha duket gjithnjë e më i qetë kur u thotë gazetarëve, e nëpërmjet tyre edhe Sali Berishës dhe mbështetësve të tij, se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike nuk do të mblidhet.

Qasja e tij publike është politike, “për të mos lejuar një kuvend anti –amerikan”, por ai ka edhe një garanci në statutin e PD për ta penguar vendimmarjen e tij.

Pika 2 e nenit 43 te statutit ia sanksionon atij të drejtën për të finalizuar mbledhjen e Kuvendit.

Nëse Kuvendi Kombëtar thirret nga ¼ e antarësisë apo ¼ vetë anëtarëve të Kuvendit, punimet e tij duhet të drejtohen nga një strukturë që e përzgjedh kryetari.

“Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të Punimeve të tij, me propozimin e Kryetarit të Partisë”, thuhet në Statut.

Nëse Basha nuk e propozon Komisionin, kush do ta drejtojë Kuvendin? Në këtë pikë, Statuti i PD nuk ka parashikuar asgjë. Nëse punimet zhvillohen pa komisionin e propozuar nga kryetari, atëherë Lulzim Basha do të ketë një bazë statutore për t’iu drejtuar Gjykatës, ku siç duken bathët, do të përfundojë beteja mes tij dhe Berishës.

Në dijeni të këtij ngërçi statutor, lideri historik i së djathtës po i mëshon një tjetër ideje: fillimisht të ndryshojë Statutin nga Kuvendi Kombëtar dhe më pas të hedhë në votim shkarkimin e Bashës.

Por edhe këtu, sipas njohësve të Statutit të PD, Kuvendi mund të mblidhet me kërkesën e ¼ të antarësisë, por nuk i zhvillon dot punimet pa Komisionin e caktuar nga kryetari.

 Ndaj çdo vendim i ndërmarrë nga Kuvendi pa këtë Komision mund të quhet i paligjshëm.

Statuti parashikon “shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar”.

Berisha thotë se ai i ka siguruar votat e nevojshme. Por Basha duket se ligjërisht është kapur fort pas pikës staturore që i jep atij të drejtën të legjitimojë punimet e Kuvendit. Por teksa Basha shpreson se do ta mbajë postin e kryetarit të PD-së me procedura gjyqësore, mbështetësit e Berishës flasin për një skenar: nëse shumica e Kuvendit Kombëtar do të votojë pro shkarkimit të Bashës, ai do të nxirret nga zyra me çdo mënyrë. /Zoom.al

STATUTI I PD

Neni 43

Kuvendi Kombëtar i Partisë

  1. Kuvendi Kombëtar është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë, që përbëhet nga:
  2. a) Kryetarët e seksioneve të Partisë Demokratike dhe sekretarët e grupseksioneve të Partisë Demokratike;
  3. b) Anëtarët e Kryesive të degëve, përfshirë anëtarët e Bordit të Këshilltarëve të Degës;
  4. c) Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike;

ç) Anëtarët e Kryesisë së Partisë;

  1. d) Deputetët e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë;
  2. dh) Kryetarët e Bashkive, Prefekti, Kryetari i Qarkut, dhe këshilltarët vendorë, anëtarë të PDSH-së;
  3. e) koordinatorët tematikë apo koordinatorët e procesit zgjedhor në Degët e Partisë Demokratike, si dhe funksionarët e Selisë Qendrore të Partisë Demokratike;

ë) Një numër i kufizuar përfaqësuesish të organizatave partnere në numër të barabartë jo më shumë se 5 për qind e numrit të anëtarëve të tjerë të Kuvendit Kombëtar.

  1. Kuvendi Kombëtar mblidhet si rregull çdo katër vjet. Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e PDSH-së, me propozim të Kryetarit të PDSH-së. Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDSH-së ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit. Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të Punimeve të tij, me propozimin e Kryetarit të Partisë.
  2. Kuvendi Kombëtar ka kompetencë për:
  3. a) miratimin e Statutit të PDSH dhe ndryshimin e tij;
  4. b) miratimin e programit të Partisë dhe linjave kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PDSH-së në nivel qendror e vendor, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj;
  5. c) zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar;

ç) shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar;

  1. d) zgjedhjen e Kryetarëve të Nderit të PDSH, të cilët janë anëtarë me të drejtë vote në organet qendrore të PDSH-së për gjithë jetën;
  2. dh) shpërndarjen e Partisë ose bashkimin me një ose disa parti të tjera;
  3. Të drejtën për t’i bërë kërkesa dhe propozime Kuvendit Kombëtar, për çështje që janë në kompetencë të tij, përveç rasteve kur ky Statut përcakton ndryshe, e kanë Kryetari i Partisë, Këshilli Kombëtar, Kryesia e PDSH-së, ose jo më pak se pesëmbëdhjetë për qind e anëtarëve të Kuvendit me të drejtë vote, të shpërndarë në të paktën pesë Degë të PDSH-së.