zoom

Aktualitet

SPAK rinisi hetimet për drogën e Xibrakës, Olsi Rama denoncon përsëri Bardhin për kallëzim të rremë

Olsi Rama, vëllai i kryeministrit shqiptar, ka bërë sërish kallëzim penal në SPAK ndaj kreut të Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, pasi Prokuroria e Posaçme rinisi hetimet ndaj tij, për laboratorin e Xibrakës.

Denoncimi i parë nuk ishte pranuar, duke u pushuar, sepse nuk kishte elementë të veprës penale, pra nuk ishte bërë kallëzimi i rremë. Kurse aktualisht Bardhi mësohet se e ka depozituar denoncimin dhe do japë dëshmi më 24 Maj në SPAK. Referuar kësaj, Olsi Rama ka ndërmarrë përsëri hapin për kallëzim penal.

Padia e Olsi Ramës, vëllait të kreut të qeverisë Edi Rama, është depozituar në SPAK ditën e djeshme, datë 15 Maj. Ai ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme që ndaj Gazment Bardhit të nisë procedimi penal për kallëzim të rremë, lidhur me deklaratat e tij për çështjen e Xibrakës.

“Në cilësinë e kallëzuesit, unë Olsi Rama, jam vënë në dijeni për një deklaratë publike të shfaqur në median online ndaj personit tim, të bërë nga një deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i kallëzuari Gazment Bardhi.

Për shkak se ky veprim i tij lidhet me deklarata të mëparshme ndaj meje të cilat, në vlerësimin tim, në tërësinë e tyre përmbajnë elementët e veprës penale të “Kallëzimit të rremë”, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal, dhe më cenojnë pikësëpari mua si person duke më dhënë cilësinë e viktimës së veprës penale, bazuar në nenet 58 e 283 të Kodit të Procedurës Penale, paraqes këtë kallëzim penal me shkrim”, thuhet në dokumentin e depozituar.

Ndërsa më tej shton:

“Kërkoj regjistrimin e procedimit penal në ngarkim të z. Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal. 2. Marrjen e akteve të materialit të kallëzimit penal nr. 68, datë 9.4.2024, të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Tiranë, sipas rregullave të parashikuara nga neni 191 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se i shërbejnë këtij kallëzimi të ri penal”. /ZOOM.AL/