zoom

Aktualitet

Sot seanca për Berishën, a e shkeli SPAK-u Kushtetutën dhe a ka hile juridike në procedurë?

Sot në orën 14:00, GJKKO ka lajmëruar zhvillimin e seancës gjyqësore për masë sigurie, konfirmimin e saj, ndaj ish-kryeministrit dhe ish-kreut të PD-së, Sali Berisha. Por debati tashmë është servirur, për shkak të Nenit nr. 73 të Kushtetutës. SPAK ka kërkuar masë shtrënguese ndaj Berishës për dosjen e “Kompleksit Partizani” në Gjykatën e Posaçme, kurse kjo e fundit vendosi “detyrim paraqitjeje”, duke marrë parasysh edhe faktorin e moshës.

Por ish-kryeministri pretendon se SPAK ka shkelur rëndë ligjin dhe Kushtetutën, teksa organi i akuzës mbrohet se ka kompetencën që për masat e lehta, si në rastin konkret detyrim paraqitjeje dhe ndalim të largimit nga vendi, duke sekuestruar pasaportën, të mos i drejtohet Kuvendit për autorizim.

Mirëpo kërkesa e masës, ndoshta edhe e shkruar dhe interpretuar keq në ato 200 faqe, apo fshehur ndonjë hile jurisprudence, lë të kuptosh se SPAK ka pasur kërkesë për ndalim ndaj ish-kryeministrit, mbi bazën e akteve të dosjes penale dhe fakteve paraprake. Vendosja e faktorit moshë tregon se GJKKO quan të ligjshme paraprakisht gjetjet dhe kërkesën e Prokurorisë, por i rrëzon pretendimin e ndalimit me faktorin moshë, pasi Berisha është 79 vjeç dhe mjafton dënimi alternativ.

Gjithsesi, ish-kryeministri e quan të paligjshëm këtë seancë dhe proces ndaj tij, teksa ndalimin e dhëndrit Jamarbër Malltezi e cilësoi si politik dhe të qëllimshëm, me urdhër Qeverie.

Pyetja e një qytetari të thjeshtë në këtë rast është: A gaboi SPAK, me apo pa qëllim, duke mos iu drejtuar Parlamentit dhe në këtë rast Berisha ka të drejtë, apo vërtetë Prokuroria e Posaçme ka ushtruar kompetencën, duke u mbështetur tek fakti se për masa të buta sigurie, nuk kërkohet heqje imuniteti dhe autorizim nga Kuvendi.

Neni 73 në fakt e përcakton qartë situatën, duke shpjeguar se “në çfarëdo lloj forme” Prokuroria nuk mund të marrë masë ndaj një deputeti apo t’i heqë lirinë, pa i kërkuar Kuvendit autorizim (përveç rastit të flagrancës dhe që në këtë dosje përjashtohet).

Dhe pyetja tjetër është: Kaq shumë i kushtonte procedura SPAK-ut për ta kaluar kërkesën, qoftë edhe për masë të butë shtrënguese, nëpërmjet Parlamentit, duke qenë se i dyshuari në këtë rast është ish-kryeministër, ish-president, deputet dhe madje ish-lider i opozitës, duke menduar edhe tensionimin e situatës politike, apo ‘lundrimin’ nëpërmjet anekseve juridike dhe ligjore?!

Dyshimi i nënvizuar lë të kuptosh se Prokuroria e ka menduar se kjo kërkesë do të kthehej në një “shpërthim” të madh politik, duke e kthyer Parlamentin në ‘arenë’ dhe duke i harxhuar kohën proceduriale apo hetimore dhe rrezikuar prishjen e provave në vijim.

Tashmë mbetet të pritet ora 14:00, kur GJKKO ka thirrur seancën për Berishën, nëse ish-kryeministri do të paraqitet me avokatët e tij, ku do merret edhe në pyetje, apo do i qëndrojë tezës së shkeljes së Kushtetutës dhe vendimit antiligjor të Gjykatës dhe Prokurorisë.

Kodi i Procedurës Penale e parashikon që nëse i dyshuari nuk i bindet urdhrit të Gjykatës, shoqërohet me forcë në sallë.

Ndaj ish-kryeministrit Berisha janë vendosur masat e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Vetë Berisha, si edhe avokati i tij Genc Gjoktuaj thotë se kjo procedurë është e jashtëligjshme dhe se është shkelur Kushtetuta nga SPAK. Policia e Shtetit ka tentuar ta njoftojë për masën, por Berisha i ka shmangur.

Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi akuzohen për “korrupsion” dhe “pastrim parash”, ndërsa Sali Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”. Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëortak në këtë shoqëri.

Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma mbi 5 milionë euro. Paralelisht SPAK ka nisur edhe sekuestrot e pasurive të Malltezit, mbi 30 pasuri dhe asete të tundshme dhe të patundshme.

Çfarë thotë Neni 73 i Kushtetutës:

1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.

2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.

3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Prokurori i Përgjithshëm ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura, për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të hapur.

/ZOOM.AL/