zoom

Aktualitet

Skema e pastrimit të parave/ 11 vjet burg për kunatin e Rezart Taçit dhe 10 vite për shoferin

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 11 vite burgim Artur Ballën dhe me 10 vite Bledar Lilon për “pastrim parash”.

Ata akuzohen si bashkëpunëtorë të biznesmenit të hidrokarbureve Rezart Taçi në skemën e pastrimit të mbi 18 milionë eurove të organizatës mafioze italiane “Cosa Nostra”.

Artur Balla është kunati i Rezart Taçit, ndërsa Lilo shoferi i biznesmenit shqiotar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare.

Referuar dosjes hetimore të SPAK dhe antimafias italiane, në këtë skemë ishin përfshirë 7 persona dhe në krye të saj qëndronte biznesmeni nga Palermo, Francesco Zummo dhe ekonomisti i tij, Fabio Petruzzella.

Bëhet fjalë për rreth 18.4 milionë euro. Skema e pastrimit të parave, ku ishin përfshirë ish-bosi i naftës Rezart Taçi, kunati i tij Artur Balla dhe ish truproja e tij Bledar Lilo, u zbulua nga SPAK pas hetimeve disa mujore.

Hetimet

Skema financiare drejtohej nga dy italianët Francesco Zummo dhe I.Z., në bashkëpunim me një tjetër italian Fabio Petruzzella të zviceranit me origjinë italiane Daniele Castagalli, si dhe të biznesmenit shqiptar Rezart Taçi i përfshirë në biznese në sektorin e naftës.

SPAK thotë se Taçi, në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar dy bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, Artur Balla dhe Bledar Lilo.

Skema

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shqiptarëve të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht sipas SPAK-ut dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht.

Po sipas SPAK-ut, gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.

Bashkëpunëtorët

Nga hetimet e SPAK, Artur Balla dhe Beldar Lilo kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Francesco Zummon dhe ekonomistin Fabio Petruzzella-n, të dy të arrestuar në Itali, të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre. Balla dhe Lilo ndihmonin italianët me lëvizjet e tyre në Shqipëri  dhe bënin transfertat e parave sipas porosive që u jepte Rezart Taçi, i cili është në kërkim nga policia.

18.4 milionë euro ishin depozituar nga korriku në një llogari bankare të hapur pranë ‘Alpha bank’ në Tiranë dhe pastaj duhet transferoheshin në Hong-Kong dhe Singapor nëpërmjet një kompanie të Rezart Taçit, po SPAK e ka bllokuar operacionin.

Llogaria ishte në emër të Francesco Zummo me shumën 18.399.996 euro. Ndërsa Taçi do të fitonte 3 milionë euro nga ky operacion, ose 16% e shumës.

Shuma vinte nga një bankë në Kantonin zviceran të Ticino dhe ishin pjesa e pasurisë 150 miliona euro te Francesco Zummo ta konfiskuar nga gjykata italiane si te ardhura të Cosa Nostra.

Përgjimet

Ishin përgjimet e SPAK ato që zbuluan përfshirjen e Rezart Taçit, ku më 6 tetor 2021, ai i thotë Francesco Zummos se paratë ia garantonte me asetet e tij, duke i kërkuar të kishte besim pas hapjes së llogarisë më 18 qershor në Mal të Zi e në Tiranë.

Balla dhe Lilo ndihmonin italianët me lëvizjet e tyre në Shqipëri  dhe bënin transfertat e parave sipas porosive që u jepte Rezart Taçi, i cili i ka mohuar akuzat dhe është shprehur i gatshëm të dalë para drejtësisë shqiptare.

Lilo dhe Balla kanë mohuar akuzat që prej arrestimit. Në rekurs, Lilo ka pretenduar se nuk ka lidhje me akuzat, pasi është vetëm shofer.

Ndërsa kunati i Taçit, ka kërkuar masë më të butë sigurie, por të dyja këto kërkesa janë rrëzuar nga Gjykata e Lartë.

Kush është Rezart Taçi, borxhet dhe arrestimi në Zvicër

Me hapjen e pikave të “Taçi Oil”, pronari Rezart Taçi, që në mediat e huaja etiketohet si “manjati i naftës në Shqipëri”, ngjiti shkallët e suksesit, duke ndërtuar depozitat në Shëngjin dhe vende të tjera. Gjatë kohës kur Berisha ishte kryeministër ai bleu ARMO-n, gjigantin e përpunimit të naftës në Shqipëri.

Ai u kthye në një nga biznesmenët kryesorë për karburantet. Taçi bleu pas disa kohësh dhe një ndër televizionet më të rëndësishme të kohës, “TV Alsat”. Ai mori goditjen finale në vitin 2013 kur tatimet i bllokuan rafinerinë e hidrokarubureve ARMO.

Në vitin 2016 Taçi u arrestua në Zvicër me urdhër të Prokurorisë Publike të kantonit të Gjenevës në Zvicër, për akuzën e “mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”.

Pas largimit të tij nga Shqipëria, shteti shqiptar nisi hetimet për biznesmenin 50-vjeçar për “pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.

Ndërsa SPAK vendosi ta shpallë në kërkim për masën e arrestit dhe Rezart Taçi duhet të përballet me drejtësinë e shtetit shqiptar.