Aplikacion
Ndonëse që me ardhjen në krye të qeverisë, Edi Rama u angazhua për ulje të shpenzimeve për udhëtimet, duke urdhëruar edhe deputetët e ministrat e tij për të mos udhëtuar me “business class”, vetë ai ka vendosur të mos heqë dorë nga benefitet që të sjell pushteti.
Prej vitit 2020, Rama në mënyrë të vazhdueshme ka kryer me dhjetra udhëtime me avionin TC-ANA, me emrin “Ismaili” të siguruar falë një marrëveshjeje të nënshkruar me kompaninë “Air Albania”, detajet e së cilës nuk janë bërë asnjëherë publike.
Nisur nga mungesa e vullnetit të qeverisë për të bërë transparencë për këtë marrëveshje dhe kostot që duhet të paguajnë qytetarët shqiptar për të, Zoom.al iu drejtua me një shkresë zyrtare me disa pyetje specifike Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, si institucioni shtetëror që ka lidhur marrëveshjen me kompaninë “Air Albania” për ofrimin e shërbimeve të fluturimit për kryeministrin e vendit.
Më konkretisht Zoom.al i drejtoi kësaj drejtorisë 5 pyetje, të cilat po i rendisim më poshtë:
1. A i paguan Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare të gjitha udhëtimet e kryeministrit të Shqipërisë z.Edi Rama me avionin TC-ANA, i njohur me emrin “Ismaili”?
2. Sa udhëtime të këtij avioni ka paguar Drejtoria e Sherbimeve Qeveritare?
3. Sa është fatura e shpenzimeve në udhetimet që kryeministri i Shqiperise, z. Edi Rama ka kryer me avioni TC-ANA, me emrin “Ismaili”, që nga dita e parë që ai ka nisur ta përdore atë e deri tani?
4. A paguan Drejtoria e Sherbimeve Qeveritare tarifa e taksa te tjera te ketij avioni?
5. A ka detyrime të prapambetura Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare tek kompani private në Shqipëri dhe jashtë saj përsa u përket shpenzimeve të pashlyera për avionin TCN-ANA?
Shkresa në fjalë i është drejtuar kësaj Drejtorie më datë 22 qershor, në bazë të ligjit “Për të drejtën e informimit” dhe institucioni në fjalë ka marrë të gjithë kohën e nevojshme që i jep ligji dhe ka hartuar dokumentin më 5 korrik.
Por më shumë se sa afatet, ajo që ka rëndësi në këtë rast është se kjo drejtori nuk jep asnjë informacion lidhur me pyetjet e shtruara prej Zoom.al.
Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare në përgjigjen e saj pranon se ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqërinë “Air Albania” më datë 30/01/2020 me objekt “vendosjen e marrëdhënieve bashkëpunuese midis palëve, me qëllim koordinimin për ofrimin e shërbimit të fluturimeve të posaçme”.
Pra Drejtoria e Shërbimeve qeveritare pranon se marrëveshja garanton sigurimin e fluturimeve të posaçme për kryeministrin, ndonëse nuk bën të ditur mënyrën e garantimit të këtyre fluturimeve dhe nëse avioni është tashmë në pronësi të qeverisë, ashtu siç edhe është regjistruar në autoritetet ndërkombëtare të aviacionit, apo është marrë me qira.
Më tej në shkresën e vet, kjo drejtori thote se në bazë të kësaj marrëveshjeje janë shlyer të gjitha detyrimet e krijuara nga zbatimi i saj, por nuk bën të ditur se cila ka qenë fatura e paguar nga paratë e taksapaguesve shqiptar deri më tani për këtë gjë.
Mandej, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare refuzon të jap informacion edhe për numrin e udhëtimeve apo detaje të tjera që kanë të bëjnë me pasagjerët që kanë udhëtuar me këtë avion.
“DSHQ është detyruar të konstatojë, se nuk është institucioni i cili mban të dhëna mbi kalendarin e udhëtimeve të titullarëve të institucioneve të larta shtetërore dhe stafet e tyre të cilët disponojnë axhendën e përkatëse të fluturimeve të kryera, objekt i marrëveshjes së bashkëpunimit. Kjo axhendë disponohet dhe menaxhohet nga marrësi i shërbimit”, thuhet në këtë shkresë.
“DSHQ nuk ka tagër të bëjë publike në mënyrë shteruese dhe të detajuar të dhëna mbi këto udhëtime të kryera në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit, së pari sepse nuk është autoriteti vendimarrës dhe përcaktues i itinerareve përkatëse dhe së dyti, sepse trajtimi I sigurtë dhe konfidencial i personaliteteve të larta shtetërore dhe veprimtarive të tyre zyrtare është detyrim parësor i saj”, thuhet me tej në përgjigjen e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.
Në përgjigjen zyrtare, qëllimisht kjo drejtori nuk u referohet vetëm udhëtimeve të Edi Ramës, por flet gjithmonë në numrin shumës, pavarësisht se ky avion ngrihet vetëm kur me të udhëton Edi Rama.
Gjithashtu në këtë paragraf kjo drejtori flet për konfidencialitet për udhëtimet dhe shpenzimet e kryera, ndonëse Zoom.al kërkoi përgjigje për udhëtime të kryera dhe jo ato që janë të programuara.
Pra justifikimi i dhënies së informacionit me konfidencialitetin në këtë rast nuk qëndron.
Aq më shumë që kryeministri, ashtu si edhe të gjithë zyrtarët e tjerë e kanë detyrim ligjor bërjen publike të shpenzimeve në detyrë, siç bëjnë edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
Zoom.al ka publikuar në vijëmësi informacione dhe të dhëna mbi fluturimet e kryera nga kryeministri Edi Rama me avionin “Ismaili”, ndërsa nëpërmjet konsultimeve edhe me ekspertë dhe kompani prestigjioze në fushën e aviacionit ka konstatuar se kostoja e operimit të një avionic të tillë luksoz është shumë e madhe.
Vetëm një orë fluturimi llogaritet me një kosto nga 11 deri në 14 mijë euro. Nisur nga fakti se udhëtimet e kryeministrit zgjasin mesatarisht nga 3 deri në 4 orë, atëherë kostoja e një udhëtimi me këtë avion për kryeministrin shqiptar kushton 33 mijë euro minimum deri në afro 60 mijë euro maksimumi./ Zoom.al