zoom

Ide & Blog

Skandali i pagave, ka vetëm një sfidë për gazetarët

Publikimi i listës së pagave ekspozoi më së shumti përpara publikut një grup analistësh e këshilltarësh, të cilët i ndeshim thuajse çdo mbrëmje në ekranet televizive, në studio të ndryshme. I dëgjojmë plot kërshëri për të mësuar jo vetëm analizat e tyre, por edhe të vërtetat që ata dinë për çështje të rëndësishme.

Aty është shpresa se mes tyre ka mbetur ende dikush që të flasë troç, me fakte, se çfarë ndodh vërtet me PPP-të, me koncesionet, me tenderat publikë, me punësimet, me patronazhimin, me korrupsionin, me kriminalitetin. Lista e pagave i vuri përballë shumë shtresave të tjera shoqërore, të cilat paguhen nga “më pak se ata” deri te “si mos më keq”. Jo më kot ata u bënë lajm i parë edhe mes kolegëve.

Të shumta ishin portalet, që nuk zotërohen prej këtyre analistëve, të cilët nxituan më së pari të publikojnë listat me pagat e kolegëve, jo se aty kishin gjetur diçka kriminale, por se aty kuptuan përse ata rrinë gojëkyçur për skandale të mëdha. Fjala vjen, imagjinojeni Baton Haxhiun të flasë për PPP-të në Shëndetësi kur sheh se ai paguhet 17 milionë lekë nga Spitali Amerikan. Por në listë sheh se si të tjerë analistë të njohur, si Lorenc Vangjeli, deklarojnë paga prej 35 mijë lekësh.

Raste të ngjashme ekstreme mjaftojnë për të kuptuar se nëse një palë e gazetarëve të mirëpaguar nga kompani private nuk denoncojnë dot PPP-të e dyshimta, pala tjetër që ka deklaruar paga minimale për të shmangur taksat, nuk e ka më besueshmërinë për të denoncuar raste të shkeljes së ligjit, nga individë apo institucione. Nëse e bëjnë, janë jo objektivë.

Pas rasteve të punësimit nëpër borde e institucione shtetërore, gazetarët e shohin veten edhe njëherë të komprometuar. Ata që ende punojnë në media për shkak të misionit, do të duhet edhe njëherë të luftojnë për integritetin e tyre. Mund ta bëjnë fare lehtë duke u marrë me çështje që vërtet i interesojnë publikut dhe duke kërkuar fakte për çështjet që flasin e shkruajnë, duke mos u pajtuar me heshtjen e blerë nga pagat e majme apo deklarimet minimale për të shmangur taksat. Nëse kjo është e tepërt, nuk duhet të jenë më pjesë e mjedisit mediatik, sepse janë si ajo molla e kalbur që prish gjithë arkën. /Zoom.al