Aplikacion
Pas zbulimit të një sasie mishi pule të rrezikshëm, AKU ka pezulluar aktivitetin e kompanisë KMY në Tiranë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e biznesit KMY, u sekuestruan 738 kilogramë fileto dhe gjoks pule, për shkak të shkeljeve të rënda të standardeve higjieno-sanitare. Nga verifikimet rezultoi se mishi ishte trajtuar në kushte të papërshtatshme, pasi gjatë proceseve të ngrirjes dhe shkrirjes ishte vendosur drejtpërdrejt në tokë. Gjithashtu, produkti ruhej në një ambient ku ishte konstatuar prani myku dhe ndryshku, çka përbën rrezik serioz për sigurinë ushqimore.
Në përfundim të kontrolleve, AKU Tiranë vendosi pezullimin e aktivitetit të subjektit deri në përmbushjen e plotë të kushteve të kërkuara ligjore. Ndërkohë, sasia e sekuestruar prej 738 kilogramësh mish pule u asgjësua.



Njoftimi:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në vijim të transparencës dhe informimit të publikut, bën me dije se trupat inspektuese të Drejtorisë Rajonale Tiranë, bazuar në planin mujor të kontrolleve me bazë risku në stabilimente me rrezikshmëri të lartë, kanë ushtruar kontrolle zyrtare në dy subjekte me aktivitet “Përpunim qumështi” dhe “Përpunim mishi”.
Gjatë kontrollit zyrtar në subjektin “Bonum” (Baxho), trupa inspektuese konstatoi kushte higjieno-sanitare të papërshtatshme, si dhe prani të mykut, ndryshkut dhe lagështisë në ambientin e përpunimit. Për këto shkelje, u mor masa e menjëhershme e bllokimit të aktivitetit si dhe bllokimi i produktit të pasigurt:
328.7 (triqind e njëzet e tetë pikë shtatë) kg djathë i bardhë dhie.
Ndaj subjektit u mor masa administrative “Gjobë” në vlerën e 300.000 (triqind mijë) lekë për ushtrim të aktivitetit në kundërshtim me kërkesat ligjore mbi kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të higjienës së ushqimeve.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në subjektin “KMY” (Përpunim mishi), u konstatua një ambient ndihmës me kushte higjieno-sanitare të papërshtatshme, ku procesi i shkrirjes së produkteve kryhej në kundërshtim me normat teknike. Për këtë arsye, u vendos masa e bllokimit për ambientin ndihmës si dhe bllokimi i sasive të produkteve:
588 (pesëqind e tetëdhjetë e tetë) kg fileto pule “Super Frango”;
150 (njëqind e pesëdhjetë) kg gjoks pule “Pechungon”.
Nga këto produkte janë marrë mostrat për analizë mikrobiologjike dhe sasia do të qëndrojë e bllokuar deri në daljen e rezultateve laboratorike. Ndaj subjektit u mor masa administrative “Gjobë” në vlerën e 300.000 (triqind mijë) lekë.