zoom

In Zoom

Mësim pranë pisllëkut! Anormaliteti që vuan kjo shkollë e Tiranës

Plehra të shpërndara kudo, dy kosha mbeturinash të tejmbushura, baltë, pellgje që kundërmojnë, bagëti, mobilie të vjetra dhe goma të djegura.


Kjo është ajo çka shohin, nuhasin dhe përjetojnë çdo ditë nxënësit e shkollës 9-vjeçare në Tiranë, “Pal Ëngjëlli”.

Në kohën kur flitet për vaksinim, standarde dhe objektiva të larta arsimore, në këtë shkollë, e gjendur pranë rrugës “Rexhep Tarja”, në territorin që njihet si zona e ish-degës ushtarake diskutohet për shumë më pak, për diçka fare bazike, të domosdoshme. Një ambient normal!

Fare pranë rrethimit me kangjella të institucionit arsimor shtrihet ky ekosistem aromash neveritëse dhe pamjeje aspak normale.

“Të mësosh mes pisllëkut”, duket se është motoja e fatit të keq të kësaj shkolle, që dashur pa dashur, vështirë se të fal sigurinë, seriozitetin dhe kënaqësinë e duhur.


“Këtu pastrohet vetëm për zgjedhje. Javën e zgjedhjeve nuk gjeje mbeturinë në tokë, pastaj po njësoj”, shprehet një banore, e cila thotë se gjendja vazhdon e tillë prej kohësh.

Përgjatë viteve, banorët kanë votuar me shpresën se gjërat do të ndryshojnë, shpresë që u është ushqyer nga vetë kandidatët. Premtime të dhëna, premtime të pambajtura!

Kështu duket se zgjidhja e vetme ka mbetur puna vullnetare, qoftë e vetë personave që jetojnë në lagjen në fjalë, e të rinjve ose nxënësve.

Fotografitë e mëposhtme janë marrë nga llogaria e shkollës në Facebook./@Zoom.al