zoom

Aktualitet

Si po e përjeton Europa të nxehtin, nga ndalimi i koncerteve në Francë tek kufizimi i ujit në Itali

Asnjëherë si në këtë fillim të verës së vitit 2022, numrat dhe hartat po tregojnë se planeti po “përcëllohet” nga i nxehti.

Thatësira që po gjunjëzon Europën, veçanërisht në veri, vjen për shkak të një fenomeni meteorologjik që ka shpërthyer në Itali, Francë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Në Europë, vala e të nxehtit ka një origjinë të saktë: një anticiklon nga Afrika, përpara asaj që ndodhi në vitet e mëparshme, ka krijuar një kapak nxehtësie në të gjithë pjesën perëndimore të Europës.

“Temperaturat janë të ngjashme me ato të vërejtura në korrik apo gusht. Në disa pjesë të Spanjës dhe Francës, temperaturat tejkalojnë mesataren për këtë periudhë të vitit me më shumë se 10 ° C, duke thyer shumë rekorde mujore. Kjo është e kombinuar me thatësirën në shumë pjesë të Europës”, ​​paralajmëron Organizata Botërore Meteorologjike.

Francë – Që nga java e kaluar, koncertet dhe tubimet publike janë pezulluar në disa zona të vendit, veçanërisht në rajonin e Bordosë, ku termometri ka arritur në 43 gradë.

Parisi gjithashtu arriti kulmin në 39 gradë pak ditë më parë. Përdorimi i kondicionerëve ka detyruar operatorët e rrjetit të energjisë elektrike të importojnë energji nga vendet fqinje.

Spanjë – Muaji maj ishte më i nxehti ndonjëherë në historinë e fundit në Gadishullin Iberik dhe situata u përsërit në qershor. Këtu, alarmi kryesor jepet nga zjarret: 20 mijë hektarë pyje janë shkatërruar në Katalonjë.

Në jug të vendit priten temperatura deri në 45 gradë. Spanja po lufton gjithashtu me thatësirën: në pranverë reshjet ishin 25% më pak se normale.

Britania e Madhe – Ishujt Britanikë preken pak në krahasim me kontinentin. Kjo nuk e pengoi Uellsin që të përjetonte temperatura prej 33 gradë për disa ditë, një nxehtësi absolutisht anormale për rajonin. Një alarm shëndetësor i nivelit të tretë është lëshuar në Londër.

Itali – Qindra kryebashkiakëve në Itali tashmë u është dashur të kufizojnë përdorimin e ujit të pijshëm.

Nuk mund të përjashtojmë “kufizimin e ujit gjatë ditës” në lidhje me thatësirën që ka goditur zona të ndryshme të Italisë, deklaroi kreu i Mbrojtjes Civile, Fabrizio Curcio, duke nënvizuar se “në javët në vijim do të kemi masa të qarta dhe do të mund të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme”.

Në vitin 2022, kishte më shumë se dyfishin e numrit të zjarreve në krahasim me vitin 2021 dhe më shumë se gjashtë herë më shumë se në 2020.

Veçanërisht në veri, por edhe në jug, vala e të nxehtit afrikan i ka detyruar autoritetet marrin masa: në Pulia, guvernatori Michele Emiliano ka nënshkruar një urdhëresë që ndalon punët më të rënda (duke filluar nga ato bujqësore) në pjesën qendrore të ditës, nga ora 12:30 deri në 16:00, deri më 31 gusht.

SHBA – Situatë është veçanërisht kritike në Kaliforni, ku thatësira vazhdon prej tre vitesh.

Në shumë qarqe të shtetit, përdorimi i ujit për disa qëllime shtëpiake tashmë është i ndaluar, si për shembull ujitja e kopshteve.