Aplikacion
Përpos faktit që skandali u bë pjesë e hetimeve të drejtësisë dhe i kronikave televizive e shkrimeve të medias online, viktima u shdërrua në një shënjestër linçimesh mediatike dhe atyre në rrjetet sociale, të cilat as kanë pasur e as do të kenë lidhje ndonjëherë me gazetarinë.
Buja e skemës së mashtrimit bëri që media të depërtonte në thellësi për të zbuluar gjithë skandalin dhe për të nxjerrë prova për përgjegjësitë e gjithësecilit. Por hyrja në jetën personale e në familjet e gjithkujt, me fletërrufe e shkishërime, pa asnjë lidhje të dobishme me skandalin e mikro kredive, qe e tepërt, aq sa sot mund të themi edhe fatale.
E uritur për klikime, media online, dhe për shikueshmëri disa media televizive, iu lëshuan pa fre Olsi Ibros, duke devijuar shumë larg misionit që ka media.
Olsi Ibro do të duhej të shkonte para drejtësisë për të gjitha veprat penale për të cilat dyshohej e u akuzua, duhej të kishte dhënë llogari për të gjitha pasojat që skema ku dyshohet se ai ishte përfshirë u shkaktoi qindra e mijëra individëve e familjeve shqiptare.
Ai do të duhej të kishte vuajtur të gjitha pasojat që drejtësia ka përcaktuar për krimet e këtij lloji.
Media, siç vepruan disa televizione e portale të njohur në vend, do të duhej të kishte bërë punën e saj të investigimit për të ndihmuar që Olsi Ibro e partnerët e tij në skemën e mashtrimit të mos i shpëtonin në asnjë formë ndëshkimit të drejtësisë.
Por linçimi, sulmi pa masë e kriter e shndërroi atë nga një kriminel ende të dyshuar, në një monstër. Parë nën optikën “puritane” të atyre që fshihen pas portalesh e llogarish false në rrjetet sociale, duke e goditur dikë në çdo formë, sot, e gjithë kjo maratonë vrastare kuptohet që nuk i shërbeu askujt.
Sot, në vend të drejtësisë, shoqëria dhe një pjesë e medias që nuk i shërben misionit të gazetarisë, mori një tjetër krim mbi supe, atë të shkaktimit të vetëvrasjes.
Sot vetëvrasja e një individi, sado fajtor të ishte ai për vjedhje e mashtrime, na tregoi se si vetë shoqëria, media e rrjetet sociale mund të bëjnë po aq krime sa edhe krimineli që ata denoncojnë, sepse nxitja e vetëvrasjes është krim.
Dhe sot, të gjithë do të duhet të ndihemi bashkëfajtorë, po aq sa u ndjemë kur viktima e skemës së mikro kredive, Pal Trashaj i dha fund jetës së tij para dyerve të SPAK-ut, sepse nuk gjeti drejtësi as nga drejtësia, as nga mediat, as nga lincuesit kronikë që masën e dhimbjes e llogarisin me numrin e klikimeve të shkrimeve e statuseve të tyre në internet, të cilët vetëm drejtësisë nuk i shërbejnë e as e kanë qëllim të tyre në asnjë gërmë./ Shkruar për Zoom.al nga M.O