zoom

Politikë

Shuhen zërat për arratisje, Meta dhe Kryemadhi kthehen në Shqipëri pas mesnate

Ish-presidenti Ilir Meta, njëkohësisht kreu i Partisë së Lirisë, si dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, raportohet se janë kthyer në Shqipëri. Spekulimet e fundit mediatike dhe në panelet televizive, kalkulonin hipoteza se politikani i lartë e la Shqipërinë në në dukje në një arrati për t’i shpëtuar hetimeve apo ndonjë fletë-arresti të SPAK-ut, ditën e premte, kur u bë operacioni për dosjen e “Kompleksit Partizani”.

Burime afër partisë njoftuan se Meta ka qenë për një vizitë të zakonshme jashtë vendit, të programuar më parë për çështje të ndryshme dhe për të cilat nuk jepen detaje. Por ata janë rikthyer pas përfundimit të saj pak pas mesnatës së premte, duke gdhirë dita e sotme.

Sipas zërave që qarkulluan, çifti Meta-Kryemadhi kishin udhëtuar për në Austri dhe Gjermani, teksa mbrëmjen e së premtes u raportua se gjendeshin në Itali dhe prej andej kanë fluturuar me linjën e radhës tranzit për në Tiranë.

Në këtë mënyrë janë shuar zërat për arratisje të mundshme dhe tashmë i lënë vend spekulimeve të radhës për dosjet hetimore të SPAK ndaj kreut të PL-së, pasi edhe më herët ka pasur denoncime, siç është ai për lobimin rus për fushatat zgjedhore. Meta vetë i ka mohuar këto implikime në mënyrë konstante, duke i cilësuar si akuza politike dhe të qëllimshme. /ZOOM.AL/