zoom

Ekonomi

Shtresat në nevojë besojnë se në Shqipëri, do të ketë rritje të mëtejshme të çmimeve

Banka e Shqipërisë, më herët parashikoi një stabilizim të inflacionit deri në mbyllje të vitit 2022 dhe nisjen e vitit 2023, por konsumatorët besojnë ndryshe.

Konsumatorët shqiptarë presin që në një vit, inflacioni të arrijë 7.3% (për prillin ishte 6.2%).

Bizneset dhe agjentët financiarë janë më afër normës zyrtare të inflacionit me parashikimin, deri në 3.3% dhe 3.5%, respektivisht.

Pritshmëritë e konsumatorëve shqiptarë për rritje të mëtejshme të inflacionit janë paralele me ato të konsumatorëve europianë dhe rajonalë. Serbia dhe Mali i Zi besojnë se do të kenë inflacion më të lartë.

Por çfarë i bën konsumatorët shqiptarë të besojnë në një rritje të mëtejshme të çmimeve?

Sipas anketës së BSH-së, kjo pritshmëri lidhet ngushtë me numrat e mëhershëm të inflacionit, pra nëse rritet një periudhë, ekziston bindja se rritja do të vazhdojë.

Perceptimi dhe pritjet e konsumatorëve për inflacionin janë më të ndjeshme ndaj luhatjes së çmimeve të ushqimeve. Si pasojë, ata që presin rritje tjetër janë kryesisht shtresa me të ardhura të ulëta, shpenzimet e të cilëve janë të orientuara më shumë drejt mallrave ushqimore

Sipas punësimit, pritjet inflacioniste kanë qëndruar më lart për të papunët, gjatë gjithë historisë së matjes së tyre, ndonëse ky ndryshim është zbehur lehtësisht në vitet e fundit.

Ndryshimi në tendencën e pritjeve për inflacionin ndërmjet gjinive është shfaqur vetëm gjatë pandemisë, ku femrat në përgjithësi presin çmime më të larta se meshkujt.

Periudha e pandemisë ka evidentuar ndryshime në çmimet e pritura edhe ndërmjet të anketuarve me nivel arsimimi të ndryshëm, ku pritjet janë më të larta për individët në kategoritë më të ulëta të arsimimit.