zoom

Aktualitet

Shqiptari padit Google në SHBA për diskriminim të gjuhës shqipe

Gjiganti i teknologjisë Google është paditur në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për mospërfshirjen e gjuhës shqipe në gjuhët e mbështetura prej motorit të kërkimit. Ky diskriminim ka pasur pasoja të mëdha në media, marketing, investime të huaja, zhvillim ekonomik dhe teknologjik në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që flitet gjuha shqipe, sipas dy paditësve.

Padia është ngritur nga Z. Haki Dervishi, shtetas amerikan me banim në Palm Springs Kaliforni, i dekoruar rishtazi nga Presidenti Biden me Dekoratën dhe Mirënjohjen Jetësore për kontribut të vazhdueshëm për kombin Amerikan, dhe Dr. Neshad Asllani, mjek i njohur kosovar, themelues i “Qendrës Kosovare për të Drejtat e Njeriut” dhe anëtar bordi në organizatën “Dekada për të Drejtat e Njeriut” në Neë York.

Paditësit besojnë se diskriminimi i vazhdueshëm i gjuhës shqipe nga Google ka bërë që folësit e gjuhës shqipe të diskriminohen nga pjesa tjetër e Europës dhe botës në zhvillimin e biznesit, në marketing dhe gazetari, pasi janë të përjashtuar nga platformat Google Ads, Google Adsense dhe Google Admob.

Dervishi dhe Asllani gëzojnë një përkrahje të miqve amerikanë për ta bërë të padrejtën të dukshme. Ata kanë angazhuar edhe avokatë amerikanë për të paditur gjigantin Google në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për diskriminim të gjuhës shqipe dhe kanë besim se Google do të shqyrtojë me interes këtë padi dhe do konsiderojë shtimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare të mbështetur nga Google.

Kjo do të sjellë risi të mëtejshme të teknologjisë informative duke krijuar mundësi reale për zhvillim ekonomik, punësim, investime të huaja, marketing dhe informim cilësor.

Kujtojmë se, sot një biznes nuk arrin të reklamojë në Google Ads sepse nuk pranon reklama në shqip edhe për këtë arsye shumica e portaleve dhe faqeve në shqip nuk arrijnë të fitojnë para nga shikimet që kanë sepse Google Adsense nuk paguan për faqet e internetit që janë ndërtuar në gjuhën shqipe.