zoom

Lajme

Shqiptarët i “vënë” flakën Dortmundit, nis festa para Italisë. Edhe ekipi gati, në mbrëmje ndeshja

Nisi mbrëmë eventi sportiv më i rëndësishëm, Euro 2024 në Gjermani. Një numër i lartë shqiptarësh kanë udhëtuar për në Gjermani për të marrë pjesë në nisjen e Europianit.

Dhe sipas raportimeve nga media të ndryshme, kuqezinjtë kanë “ndezur” motorët e festës që nga mbrëmja e djeshme, teksa sot grumbullohen në një prej shesheve të qytetit në orën 14:00, për të vijuar më tej drejt stadiumit “Iduna Park”.

Në foto janë pamje nga Dortmundi, ku shqiptarët kanë festuar mbrëmjen e djeshme me tupanë e flamuj kuqezi. Festa ka nisur e madhe, teksa tani pritet të shndërrohet në rezultat në fushë.

Kombëtarja shqiptare është gati për debutimin në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”. Kuqezinjtë kanë zhvilluar dje dhe seancën zyrtare stërvitore në stadiumin e Dortmundit, duke mbyllur kështu edhe përgatitjet për duelin e parë në Kampionatin Europian ndaj Italisë.

Kuqezinjtë nën drejtimin e trajnerit Sylvinjo dhe stafit teknik u stërvitën për më shumë se një orë në stadiumin e ndeshjes, duke provuar vendosje taktike dhe situata të ndryshme loje. Forma e lojtarëve është e mirë dhe deri më tani nuk ka probleme fizike për asnjërin me atmosferën që është shumë pozitive dhe të gjithë të gatshëm për të dhënë kontributin për takimin ndaj Italisë.

Sfida Itali – Shqipëri do të luhet sot, më datë 15 qershor, ora 21:00 në stadiumin e Dortmundit. Në grup me Shqipërinë dhe Italinë ndodhen edhe Kroacia e Spanja. Ndeshjet e “Grupit të vdekjes” do të nisin me përballjen Kroaci-Spanjë në orën 18:00. Gjermania hapi siparin me fitoren tenistike në Grupin A, 5-1 ndaj Skocisë. /ZOOM.AL/