zoom

Ekonomi

Shqiptarët blenë 50 milionë euro gurë të çmuar për 10 muaj

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2024, pra deri në muajin Tetor, u importuan 4.9 miliardë lekë perla natyrale, gurë të çmuar dhe bizhuteri. Kjo shifër ka shënuar një rritje prej 37%, krahasuar me dhjetëmujorin e vitit 2023, ose rreth 1.3 miliard lekë më shumë. Shifrat tregojnë se përgjatë muajve të këtij viti importi i perlave natyrale dhe gurëve të çmuar ka regjistruar rekord historik.

Të dhënat më të fundit të tregtisë së jashtme për muajin Tetor të këtij viti tregojnë se kemi një rekord të ri sa i përket importit të perlave dhe gurve të çmuar.

Sipas treguesve të analizuar nga “Scan Intel” vlera e importit për muajin Tetor të vitit 2024 për kategorinë “Perla natyrale, gurë të çmuar, bizhuteri, monedha” arriti në rreth 858 milionë lekë, ndërkohë që një vit më parë regjistrohej në 467 milionë lekë. Kjo vlerë për Tetorin shënon rekord histroik që nga janari i vitit 2005 kur fillojnë shifrat për tregtinë e jashtme.

Por cilat janë vendet nga ku Shqipëria blen këto produkte?

Italia dhe Turqia përbëjnë gati 90% të peshës së imorteve të gurëve të çmuar dhe perlave përgjatë periudhës Janar-Tetor të këtij viti. Ndërkohë, Franca, Kina, Mbretëria e Bashkkuar, Belgjika dhe Emiratet e Bashkuara Arabe bëjnë pjesë në dhjetë destinacionet kryesore nga ku vijnë këto produktete.

Janë disa arsye pse importi i perlave, gurëve dhe bixhuterive po rritet me ritme të shpejta. Së pari është kërkesa konsumatore. Së dyti rritja e kërkesës në muaj të caktuar të vitit mund të jetë edhe pasojë e frikës për një zhvlerësim të mundshëm të mjeteve monetare, e cila zhvendos interesin e konsumatorëve për të investuar kursimet në sende me vlerë, si bizhuteri të shtrenjta, të cilat u rezistojnë krizave ekonomike.

Së treti kjo mund të lidhet me sezonalitetin dhe festat. Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, kërkesa për blerje gurësh të çmuar ose bizhuterive të formuara me to është më e lartë në rastet e festave ose gjatë verës.