zoom

Aktualitet

Shkolla për fëmijët do nisë që 5 vjeç, Kushi: Nuk do të jetë me detyrim

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka folur në lidhje me draftin që është hedhur për kosnsultim për uljen e moshës së nxënësve të klasës së parë nga 6 në 5 vjeç.

Ministrja sqaroi se në asnjë rast ky propozim nuk është bërë të vendoset si detyrim por i jep mundësinë prindërve të zgjedhin nëse duan të regjistrojnë femijën e tyre 5-vjeç ose të presin deri në vitin e ardhshëm.

Madje, Kushi theksoi se kjo ka qenë edhe kërkesë e vetë prindërve apo edhe e arsimit parashkollor.

“Ky propozim po interpretohet gabim. Ne asnjëherë nuk kemi përmendur moshën, 5-vjeç. Ndryshimi që ne propozojmë thjesht i jep mundësinë prindërve që në ato raste kur fëmijët i mbushin 6 vjeç vetëm pak ditë pas fillimit të shkollës të mos presin deri vitin tjetër, dhe është një mundësi që i jepet, një e drejtë dhe në asnjë rast një detyrim. Ne e kemi propozuar këtë ndryshim edhe nga vetë kërkesat e prindërve. Edhe arsimi parashkollor ka sjellë kërkesa që prindërit duan t’i regjistrojnë fëmijët, edhe ekspertët e konsiderojnë humbje të interesit të fëmijës nëse ai rri edhe një vit e pret vitin tjetër shkollor.”

Për sa i përket rezultateve të provimeve të maturës shtetërore, Ministrja tha se ishin rezultate të kënaqshme edhe pse u morëm vetëm katër 10 absolute në të gjithë vendin.
Ministrja Kushi prezantoi edhe propozimet e reja që do të aplikohen në maturën e ardhshme shtetërore.

Një test i automatizuar do të futet për degën e Mjeksisë së Përgjithshme dhe sipas Ministres ky test do të shmangë gabimet e do të nxjerrë rezultatet në kohë rekord.

“Ndryshimi i parë që ne propozoijmë për vitin e ardhshëm lidhet me një test të automatizuar që lidhet me degën Mjekësi e Përgjithshme. Kemi filluar vetëm me këtë program sepse ka kërkesë të lartë e ndjeshmëri të madhe e qëllimi është që këtë metodë ta shtrijmë edhe në testet e tjera. Është një test që shmang gabiet e korrigjohet në kohë reale. Kemi nisur nga puna, kemi gjetur dakordësi te mësuesit, nxënësit e prindërit. Ndryshimi i dytë lidhet me shfuqizimin e nenit që nuk lejon rivlerësimin e testit.”

Kushi tha në Vizion Plus se pas 15 vitesh do të propozohet edhe rivlerësimi i testeve i cili, është një e drejtë që maturantët duhet ta kenë.

“Asnjëherë nuk është parashikuar të rivlerësohet testi dhe arsyeja kryesore ka qenë koha e shkurtër kur maturantët marrin në dorë notat e tyre me kohën kur bëjnë aplikimin për universitet. Ne kemi menduar që këtë të drejtë që duhet ta kenë maturantët ta bëjmë realitet në vitin e ardhshëm. Mund të sjellë rritjen e notes, por edhe uljen.”