zoom

In Zoom

Shkaktoi të qeshura! Pse po përflitet kaq shumë fjala e ministres Muzhaqi në Kuvend

Nëse jeni një bredharak portalesh, që endeni sa në njërin në tjetrin, s’mund të mos ju kenë zënë sytë paraditen e sotme, një lajm lidhur me ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.

Kudo qarkullon një video disasekondëshe gjatë fjalës së saj në Kuvend, çka shkakton të qeshura te deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj. Kështu kudo në tituj të ndryshëm, të gjithës kësaj i referohen si lapsuse të ministres.

Zoom.al ka siguruar një sekuencë dhe siç mund ta dëgjoni më poshtë nuk mund të flitet saktësisht për një lapsus konkret (kujto këtu përllogaritjet matematikore të Lulzim Bashës). Duhet thënë se përgjatë fjalimit të Muzhaqit, copëza të tëra mbeten të paqarta dhe tepër të tërbullta për t’u kuptuar.

Hidhini një sy fjalës së zbardhur të Ministres ditën e djeshme, ku Kuvendi zgjati deri në orët e vona.

“Mendova se nuk do kisha emocione tani që do flisnim se është ora 1 e natës por çuditërisht përgjegjësia që vjen me pozicionin krijon gjithmonë emocione të paktën për mua.

Patjetër tërmeti e pandemia frenuan shumë aspekte të jetës por ata në asnjë moment nuk na ndaluan që ne të ndalonim punën e parreshtur të qeverisë për të ecur përpara me punët e rëndësishme të këtyre mandateve.

Fëmijët janë e ardhmje e Shqipërisë dhe vetëm ata mund ta ngrijnë këtë vend në lartësinë që ne mendojmë që ky vend meriton, prandaj ne si qeveri e ju zotëri që qeshni si parlament, (i drejtohet Gjekmarkajt) kemi për detyrë të kërkojmë më shumë nga vetja.

Ne kemi një armatë fëmijësh e të rinjsh që shpenzojnë energji të madhe për të marrë dije në mjediset e shkollës e për tu zhvilluar si qytetarë, dhe të rinj të qytetuar, të qytetëruar.”

Në fund e mbylli: “Trupi i shëndoshë… Mëndja e shëndoshë në trup të shëndoshë”.

Duhet thënë se kjo nuk është hera e parë që Muzhaqi vendoset në qendër të vëmendjes lidhur me të folurit e saj në publik, që disa media e cilësojnë “hutim”, e të tjera “mbytje nga emocionet”. Dy ditë para zgjedhjeve, Muzhaqi do të fliste për arritjet e saj si studente në Angli, pa ditur se ajo çka do të thoshtë do të bëhej virale.

“Dua t’ju lë me një fjalë, babai im kur isha e vogël, mbaj mend vetëm njëherë lotoi, ishte dita kur takoi prinderit e mi në gjimnaz”, u shpreh asokohe ajo.

Po e kuptuat mirë, babai takoi prindërit e saj!!