zoom

Aktualitet

Shisnin drogë në aksin Berat-Kuçovë, “Tempulli” i kap dy shokët edhe me mbi 50 mln lekë cash

Hetime proaktive dhe kontrolle në terren, në vijim të megaoperacionit “Tempulli”, kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. Vihen në pranga 2 shtetas, Andrea Bizdani dhe Florjan Kërkuta, të cilët nga hetimet, rezultojnë të implikuar në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në qytetin e Kuçovës.

U sekuestruan 20 600 paund dhe 3 000 000 lekë, të dyshuara si të përfituar nga veprimtaritë kriminale, si dhe një elektroshok dhe 2 shkopinj metalikë.

“Si rezultat i hetimeve intensive, të ndjekura me metoda proaktive, nga Policia dhe Prokuroria e qarkut Berat, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të implikuar në veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Berat vunë në pranga shtetasit A. B., 23 vjeç dhe F. K., 24 vjeç, të dy banues në Kuçovë”, tha policia.

Nga hetimet rezulton se këta 2 shtetas janë të implikuar në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në qytetin e Kuçovës. “Nga kontrollet, në banesën e shtetasit A. B. u gjetën 20 600 paund dhe 3 000 000 lekë të dyshuar të përfituar nga veprimtaritë kriminale, si dhe një elektroshok, ndërsa në banesën e shtetasit F. K., u gjetën 2 shkopinj metalik. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë vendore. /ZOOM.AL/